Sport

Dardanët mes luanëve anglezë dhe shqiponjave kuqezi

Një fushatë tjetër emocionuese pritet të ketë Përfaqësuesja U-21 e Kosovës në futboll. Grupi në të cilin do të garojnë Shpresat e Kosovës vlerësohet të jetë parakusht për ndeshje të tjera të mëdha, me numër të madh tifozësh dhe me jehonë, raporton Koha Ditore.

Shorti i kualifikimeve për Evropianin e vitit 2021 është tërhequr të martën në Nyon të Zvicrës, ndërsa Kosova u caktua të garojë në Grupin 3. Në këtë grup janë edhe Anglia, Austria, Turqia, Shqipëria e Andorra. Kosova në short u përfshi nga vazoja e katërt, pra në letër i ka tre kundërshtarë më të fortë, Anglinë, Austrinë e Turqinë.

Në të vërtetë janë ndeshjet me superfuqinë, Anglinë dhe ato vëllazërore me Shqipërinë që pritet të bëjnë më shumë bujë. Për herë të parë ekipet përfaqësuese të futbollistëve të Kosovës dhe të Shqipërisë do të takohen në kuadër të kualifikimeve, pra në ndeshje zyrtare. Deri më tani miqësoret ndërmjet dy vendeve shqiptare ishin shumë të shpeshta. Por ishte çështje kohe para se Kosova e Shqipëria të vendoseshin në të njëjtin grup. Kjo ndodhi të martën në shortin për kualifikimet e ardhshme të Shpresave.

Për U-21 të Kosovës kjo do të jetë fushata e dytë kualifikuese për evropian. Në kualifikimet për "Euro 2019" mblodhi 12 pikë në dhjetë ndeshje dhe u vlerësua lart për paraqitjet. Mbeti e parafundit në grup me Gjermaninë, Norvegjinë, Irlandën, Izraelin e Azerbajxhanin, por me dallim prej vetëm tre pikësh ndaj Norvegjisë që doli e dyta.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).