Sport

Mustafa: Kelmendi e Gjakova rikthyen Kosovën në majat e sportit evropian

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa përmes një postimi në Facebook ka uruar Majlinda Kelmendin e Nora Gjakovën për suksesin e sotëm në Poloni, ndërsa ka thënë ato rikthyen Kosovën në majat e sportit Evropian.

Kelmendi sot fitoi të artën, kurse Gjakova rrëmbeu të bronztën në Evropianin e xhudos që po mbahet në Poloni, transmeton Koha.net.

“Mbretëresha e xhudos, Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova i sollën vendit edhe dy trofe. Medalja e Artë e Majlindës dhe Medalja e Bronztë e fituar nga Nora në Kampionatin Evropian në Poloni e rikthyen Kosovën në majat e sportit evropian”, ka thënë Mustafa.

Ai më tutje ka shtuar se, “Qeveria e Kosovës tashmë i ka siguruar buxhetin dhe projektin për ndërtimin e Palestrës Nacionale të Xhudos në Pejë, e cila do të fillojë të ndërtohet gjatë këtij viti, ku do të stërviten kampionet tona aktuale si dhe brezat e rinj të xhudistëve të Kosovës. Ju lumtë Majlindë, Norë, trajnerë dhe i gjithë ekipi ynë në Poloni!”.

Për këtë sukses ka uruar edhe sekretari i Nismës, Bilall Sherifi, i cili në Facebook ka postuar dy foto, ndërsa ka shtuar se, “Kur veprat e jashtëzakonshme bëhen të zakonshme! Urime!”.