Sport

FASK në Asamblenë e Përgjithshme të FIA-s në Rusi, takohet edhe me Lordin Robertson

Një delegacion i Federatës së Auto Sportit të Kosovës (FASK) është duke qëndruar në Rusi, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Federatës Ndërkombëtare të Automobilzimit, ndërsa theks i veçantë po i kushtohet sigurisë rrugore.

Përveç shumë personaliteve të njohura të auto sportit, delegacioni i FASK-ut, i udhëhequr nga kryetari Ismet Rexhepi, është takuar edhe me ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lordin George Robertson.

Impakti i Lordit Robertson si drejtues i Fondacionit të FIA-s është i jashtëzakonshëm në fushën e sigurisë rrugore. Delegacioni i FASK-ut dhe AMCK (Auto Moto Club Kosova) u zotua se do të punojnë intensivisht në fushën e sigurisë rrugore në mënyrë që të vendoset si prioritet shtetëror.

Kryetari Rexhepi është shprehur i kënaqur me takimet e zhvilluara dhe me pritjen që i është bërë FASK-ut nga zyrtarët më të lartë të FIA-s dhe ata të Federatës ruse të auto sportit.

“Kemi pasur shumë takime të frytshme me zyrtarë të lartë të auto sportit, por gjithsesi takimi me Lordin Robertson është i veçantë. Delegacioni ynë ka premtuar se do t’i kushtohet rëndësi e madhe sigurisë në rrugë, por është biseduar edhe për aspektin sportiv”, ka thënë Rexhepi.

Në Shën Petersburg është bërë edhe shpallja e më të mirëve për vitin 2018 për të gjitha dispilinat.