Sport

Gjinaj, 13-vjeçarja që ka çuar tenisin kosovar në një nivel tjetër

Descriptive Text

Arritja në vendin e tretë në njërin prej turneve më të mëdhenj të Federatës Evropiane të Tenisit (Tennis Europe) është edhe një dëshmi se Vesa Gjinaj ka të ardhme të ndritur në këtë sport, që ndryshe njihet si "sporti i bardhë".

Prej 64 garueseve nga e gjithë Evropa, ajo doli e treta në kategorinë U-14 në turneun "Koza WOS Cup", që u mbajt në Stamboll të Turqisë ditë më parë. Në çifte, Gjinaj arriti deri në çerekfinale të këtij turneu, ku bashkëlojtare kishte një teniste nga Ukraina.

"Ky turne është i rëndësisë së veçantë, pasi pjesëmarrja është e madhe nga e gjithë Evropa. Në fund, unë dola e treta duke arritur deri në gjysmëfinale në njërin prej turneve më të mëdhenj të Tennis Europe që është një sukses i jashtëzakonshëm për mua", shprehet Gjinaj për gazetën.

Për tenisten kosovare ky ishte vetëm njëri prej disa turneve që këtë vit i ka zhvilluar jashtë kufijve të Kosovës. Gjinaj doli e gjashta në kampionatin për zhvillim në kuadër të ITF-së (Federata Ndërkombëtare e Tenisit). Ka dalë e para në Gjermani "TC Eichenau" për të mos i munguar rezultatet e mira edhe në Tiranë, Çeki, Itali e Maqedoni. Madje në Maqedoni doli e dyta në turneun Masters për grupmoshën e saj - U-14... (Më gjerësisht lexoni në Koha Ditore)