Sport

Presidenti i Bayernit fyhet në Asamblenë e Përgjithshme të klubit

Asambleja e Përgjithshme e Bayern Munchenit, e mbajtur ditën e premte, u përfshi nga kaosi. Askush nuk e fshehu dëshpërimin, zemërimin dhe zhgënjimin gjatë saj, e motivet janë rezultatet aspak të kënaqshme të kampionëve të Gjermanisë në javët e fundit, si dhe sjellja e drejtuesve të klubit.

Ajo që e tregon atmosferën e rënduar te Bayern Munchen është prania e vetëm 1.682 anëtarëve të klubit, nga 291 mijë që janë në total, por jo vetëm kaq.

Presidenti i klubit bavarez, Uli Hoeness u bë shënjestra e vërshëllimave dhe fyerjeve të të pranishmëve, një situatë kjo që – ashtu siç e deklaroi ai vet në përfundim të Asamblesë, – e tronditi atë.

Sipas të përditshmes “Bild”, ai që e kritikoi me forcë Hoenessin ishte Johannes Bachmayr, për përjashtimin nga tribuna e nderit të legjendës së klubit, Paul Breitner. Hoeness u mbrojt, por arsyetimi i tij nuk u pëlqye aspak në asamble, transmeton TCH. 

Në javët e fundit, Hoeness dhe Rummenigge deklaruan se organika e klubit pritet të pësojë ndryshime të rrënjësishme. Kontrata e Rummenigges skadon në fund të sezonit, por Hoeness shpreson në arritjen e një marrëveshjeje për rinovimin e saj.

Së fundmi, në horizont është shfaqur edhe Oliver Kahn, i cili shihet si një kandidaturë e fortë për të qenë presidenti i ardhshëm i Bayern Munchen, pikërisht në vend të Uli Hoeness.

Në Asamblenë e klubit gjerman u fol edhe për afatin kalimtar, me Bayernin që gjatë verës nuk bëri asnjë shpenzim, një gabim të cilin bavarezët nuk duan ta bëjnë më, ndërkohë që Hoeness pranoi se për gjigantët e Bundesligës ka ardhur koha që të bëhet ndryshimi i brezave. Në të njëjtën kohë, ai konfirmoi edhe Niko Kovaç në bankinë, duke shtuar se të gjithë duhet ta mbështesin në punën e tij.