Sport

Ekipet e Malishevës së shpejti luajnë në stadiumin e qytetit

Sipas një njoftimi nga komuna e Malishevës, pritet që shumë shpejt ekipet e futbollit nga kjo komunë të kenë stadiumin e tyre për zhvillimin e ndeshjeve.

Në një njoftim, kjo komunë ka thënë se ndërtimet në stadiumin që do të mbajë emrin “Liman Gegaj” janë në përfundim e sipër.

Punimet sot i ka parë nga afër nënkryetari i komunës Hajdin Berisha.

“Sot po vendosen ulëset në shkallët e stadiumit, si dhe janë rregulluar zhveshtoret dhe bankinat, dhe realisht është duke u bërë një punë e mirë. Shumë shpejt presim që ekipet tona ta kenë në dispozicion fushën e futbollit dhe ndeshjet ti zhvillojnë në stadiumin e qytetit”, tha ai.

Komuna e Malishevës, i ka dy ekipe të futbollit, ekipin e meshkujve që bën gara në ligën e dytë dhe ekipin femrave që bën gara në superligë, por që deri më tani ndeshjet i kanë zhvilluar jashtë Malishevës.

Po ashtu, stadiumi i qytetit “Liman Gegaj”, përveç fushës së futbollit, është i përgatitur edhe për garat në atletikë, pasi i ka edhe shtigjet e vrapimit, thuhet më tej në njoftim.