Sport

Sarri nuk beson se Chelsea do ta arrijë Cityn

Descriptive Text

Trajneri i Chelseat, Maurizio Sarri nuk beson se ekipi i tij ka shanse që të përfundojë mbi Manchester Cityn në tabelën e Premier Ligës në këtë sezon.

Chelsea sivjet është i pamposhtur, duke siguruar 28 pikë në 12 ndeshje. Londinezët pozicionohen vetëm katër pikë prapa Cityt.

Sarri ka thënë se “Qytetarët” janë mbi çdo ekip tjetër të Premier Ligës dhe italiani nuk është i bindur nëse do të jetë para ekipit të Pep Guardiolas.

“Jo. Për mendimin tim ata janë më të fortë se ne. Duhet të punojmë shumë që të shkurtojmë distancën, por për momentin ka distancë”, ka thënë Sarri në konferencën për media.

“Duhet të tentojmë. Mund të kthejmë pikët, por nuk mendoj se në sezonin e parë do të jemi në gjendje të kthejmë 30 pikët [distancën që Chelsea e kishte prapa Cityt në sezonin e kaluar]. Në Premier Ligë është një ekip mbi të tjerët. Ky është ekipi i Manchester Cityt”.

“Pastaj është edhe Liverpooli. Ky ekip do të luftojë për katër pozitat e para. Pastaj janë katër apo pesë ekipe që do të luftojnë për një vend në Ligën e Kampionëve. Chelsea, Arsenali, Tottenhami dhe [Manchester] Unitedi”.