Sport

Hasani: Dëmet që politika ia shkaktoi sportit të Kosovës janë të pariparueshme

Descriptive Text

Besim Hasanin, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, ka thënë se dëmet që ia ka shkaktuar politika sportit të Kosovës janë të pariparueshme.

Duke folur për problemet e fundit me të cilat u përballën sportistët kosovarë për pjesëmarrje në gara ndërkombëtare, Hasani ka thënë se dëmet janë të mëdha.

Së fundmi boksieres Donjeta Sadiku iu pamundësua pjesëmarrja në Botëror sepse India nuk e njeh Kosovën, ndërsa karateistët u paraqitën në Spanjë pa simbole shtetërore. Pas gjithë këtyre veprimeve Komiteti Olimpik Ndërkombëtar doli me vendim që të mos lejohet më asnjë garë ndërkombëtare pa garantuar pjesëmarrja e të gjithë sportistëve kosovarë. Spanja u detyrua të zbusë qëndrimin dhe qeveria e këtij shteti tashmë ka deklaruar se do të pranojë simbolet e Kosovës.

Sipas Hasanit, vendimi nga IOC-ja erdhi pas lidhjes së shkëlqyeshme që ka me Komitetin Olimpik të Kosovës.

Në Express Intervistën në KTV, Hasani e ka quajtur skandaloz përzierjen e politikës në garat ndërkombëtare sportive.

“Tërësisht skandaloz sepse s’po lejojnë një sportist të marrë pjesë edhe pse kishte madje pasaportën e dytë, atë shqiptare. Është e pariparueshme. Një sportist i cili përgatitet çdo ditë dhe planifikon kur do të mbahet botërori dhe arrin në atë pikë për të treguar më të mirën nga vetja, dhe politikisht dikush e ndalon. Është dëm i pariparueshëm. Përtej kësaj është kualifikimi për Lojëra Olimpike. Dëmet janë të mëdha dhe në takimet e mija tani bisedojmë për format e riparimit, të kompensimit të mundshëm që këtyre sportistëve t’u numërohet sikur të fitonin medalje dhe të krijojnë mundësinë për të fituar pikët olimpike. Edhe ia kemi dalë në këtë drejtim. Ne iu drejtuam AIBA-s që Donjetën ta shpallin si kampione nderi dhe t’ia mundësojnë pjesëmarrjen në Lojëra Olimpike në Tokio. Letrën e njëjtë e kemi dërguar edhe në IOC dhe besoj se do të shqyrtohet seriozisht e do të ketë trajtim adekuat”, ka thënë Hasani.

Hasani: Shteti të ndërtojë sa më shpejtë palestrën e xhudos

I pari i KOK-ut, Besim Hasani, ka kërkuar nga institucionet vendore që sa më shpejtë të marrin masa për ndërtimin e një palestre kombëtare të xhudos.

Sipas tij, sporti është storia më e mirë e shtetit dhe Kosova duhet t’iu qëndrojë prapa sportistëve që kanë arritur nivelin më të lartë botëror.

“U bindëm të gjithë dhe qytetarët e kanë ndjenjën pozitive sidomos nga xhudoja që ka arritur nivelin më të lartë medaljen olimpike që konsiderohet gara më e lartë në nivel botëror. Si qytetarë dhe institucione s’mund t’iu dalim asnjëherë hakesh atyre, por kemi shpresuar një palestër kombëtare me qëllim fisnik në kuptim të krijimit të talenteve të rinj e nxjerrjes së tyre deri në shpërthim. Tash po hasim në pengesa të çuditshme. Isha në takim bashkë me ministrin. Jemi njohur me problemin, por më shumë s’mund të bëjmë pos të deklarohemi se meritojnë më tepër. Po garantoj se kanë oferta shumë të mëdha që po i refuzojnë dhe duhet thjeshtë të përshpejtohet ndërtimi i tyre sepse po afrohet fundi i ciklit olimpik. Mund të ketë dëme të pariparueshme. Driton Kuka, trajneri i xhudos, më s’mendon vetëm për klubin e tij, por për të gjithë Kosovën. Kemi një aset që s’e ka bota e duhet ta ruajmë e mbështesim në maksimum. Shpresoj që ta dëgjojnë vendimmarrësit e të bëjnë hapin e duhur sepse mundësi ka”, ka thënë më tej Hasani.