Sport

Challandes: Ideja ime është që të jemi një mini-Kroaci

Kosovës i mjaftonte edhe barazimi në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve ndaj Azerbajxhanit për të arritur synimin - vendin e parë, shkruan sot Koha Ditore.

Por Kosova e udhëhequr nga zvicerani Bernard Challandes, u hodh në sulm në ndeshjen e luajtur të martën në Prishtinë dhe e "shkeli" Azerbajxhanin 4:0, që kishte ardhur me synimin për të fituar. Në fund të ndeshjes, Azerbajxhani pati vetëm dy gjuajtje në portë, kurse Kosova katër gola të shënuar ndër të tjera.

Challandes në një intervistë dhënë gazetës të mërkurën, një ditë pas suksesit historik të Kosovës, tha se kjo është mënyra e tij - të sulmojë edhe kur mund të mbrohet.

"Para ndeshjes me Azerbajxhanin të gjithë menduan se do të luaj lojë defensive, por kurrë nuk aplikoj këtë lojë, unë gjithnjë luaj ofensiv për shkak se kjo është filozofia ime e futbollit", ka thënë Challandes nga hoteli në Prishtinë, ku po qëndron ai dhe përfaqësuesja.

Nën drejtimin e tij, përfaqësuesja ka shënuar 15 gola në 6 ndeshje të Ligës së Kombeve dhe ka pranuar vetëm dy. Është përfaqësuesja më efikase në Ligën e Kombeve. Ai ende nuk di për humbje me Kosovën dhe kjo e bën krenar. Thotë se ëndrra vazhdon. E tash që është siguruar kalimi në një rang më të lartë për edicionin e ardhshëm të kësaj gare, në Ligën C, synimi është kualifikimi në Evropianin 2020/ Tahir Sopi.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).