Sport

Ademi: Vokrri vuri themelet e suksesit të Kosovës

Descriptive Text

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ka uruar pas kualifikimit të Kosovës dhe suksesin e përfaqësueses së Kosovës ia ka drejtuar legjendës së futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.

Të martën Kosova arriti një sukses historik duke u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kombeve, pas fitores 4-0 ndaj Azerbajxhanit në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Sonte e arritëm suksesin e parë dhe me plotë të drejtë po e quajmë HISTORIK, sepse i tillë edhe është. Një rrugë e nisur qysh moti nga legjenda dhe ish-presidenti ynë, FADIL VOKRRI”.

“Ai i vuri themelet e këtij suksesi dhe sonte ne të gjithë së bashku, me futbollistët tanë të mrekullueshëm, me stafin teknik dhe me tifozët “Dardanët” e finalizuam dëshirën e tij. Prandaj, sonte jam më i lehtësuar se kurrë më parë, ngase nga këtu i drejtohem në qiell: ‘President e arritëm atë që e nise dhe që e synove’”.

“Sonte do të kisha dashur që të jem përkrah LEGJENDËS dhe t’i gëzoheshim së bashku këtij suksesi, ashtu siç iu gëzuam vazhdimisht për vite të tëra sukseseve të njëpasnjëshme deri në anëtarësimin në UEFA e FIFA, por jeta është e tillë dhe për këtë arsye sonte në këta lot gëzimi kemi edhe lot dhimbjeje”.

“Rrugëtimi ynë ka qenë i gjatë, me shumë sakrifica e vështirësi, por tashmë kemi arritur në një nivel tjetër – në arritjen e sukseseve në fushën e gjelbër. Spektakli që dhuruan djemtë tanë në fushën e gjelbër dhe tifozët në tribuna ishte për mbamendje e për lakmi. E arritëm synimin tonë të parë, por jo të vetmin, ngase qysh tash fillojmë të mendojmë për sukseset e radhës, ngase ëndrra dhe objektivi ynë është kualifikimi në Kampionatin Evropian 2020”.

“Sidoqoftë, sonte është koha për festë, kurse objektivat e tjerë jam i bindur se do t’i realizojmë kur t’ju vije radha”.

“Gjithsesi, ky sukses dëshmon rritjen e jashtëzakonshme që ka bërë Kombëtarja e Kosovës, e vetvetiu vjen duke u rritur edhe niveli i futbollit në Kosovë, gjë e cila po dëshmohet me daljen në skenë të talenteve të shumta në ekipet tona kombëtare të grupmoshave pikërisht nga kampionati vendor”.