Sport

Berisha synon fitore në debutim me Kosovën

Sulmuesi shqiptar më në formë, ai i skuadrës australiane Melbourne Victory, Besart Berisha, synon fitore në debutimin e tij me fanellën e Përfaqësueses së Kosovës, shkruan sot Koha Ditore.

31-vjeçari të hënën në një intervistë dhënë gazetës ka konfirmuar ardhjen për ndeshjen që Kosova e zhvillon më 24 mars kundër Islandës. Ndeshjen e pestë kualifikuese për botërorin "Rusia 2018" në kuadër të Grupit I, Kosova e luan në "Loro Boriçi" të Shkodrës. "Do të jem i pranishëm për lojën e marsit kundër Islandës. Pas disa bisedave që kam pasur me përzgjedhësin Albert Bunjaki kam vendosur të vij", ka thënë Berisha.

Ai thotë se ardhja nga Australia në Kosovë do të jetë një sfidë e re, meqë është rrugë e largët. Janë mbi 30 mijë kilometra vajtje- ardhje për një ndeshje.

"Është një sfidë e re, sepse asnjëherë nuk kam udhëtuar kaq shumë për një lojë, por në të njëjtën kohë jam i lumtur që do të jem pjesë e Përfaqësueses së Kosovës për ta ndihmuar të arrijë fitoren e parë", ka theksuar Berisha. (Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.