Sport

Iliriana Haliti dhe Rrahman Ademaj më të mirët për Ditën e Flamurit në pingpong

Në palestrën e sporteve të SHFMU ‘Tefik Çanga’ në Ferizaj u zhvillua turneu tradicional i pingpongut për nder të Ditës së Flamurit, në të cilin morën pjesë pingpongistët më të mirë të Kosovës.

Garat u zhvilluan në fazën e grupeve secili me secilin ku dy të parët e grupeve u kualifikuan më tej në ndeshjet me eliminime.

Në konkurrencën e femrave për ndeshjet gjysmëfinale u renditën Alma Mehmeti, Iliriana Haliti, Hanife Zeqiri dhe Linda Zeqiri. Befasi bëri Hanife Zeqiri e cila e mposhti motrën e saj, Linda Zeqirin, lojtaren numër një në ranglistë.

Në ndeshjen tjetër gjysmëfinale, Iliriana Haliti pa problem e fitoi ndaj Alma Mehmetit dhe u rendit në finale, transmeton kp.

Në finale në dy setet e parë u zhvillua ndeshje e barabartë dhe vetëm në dy setat vijues Haliti arriti të shkëputet në rezultat për ta fituar ndeshjen me 3:1 në sete.

Gjysmëfinalet (Femrat):

Linda Zeqiri -Hanife Zeqiri 2:3

Alma Mehmeti- Iliriana Haliti 1:3

FINALE

Hanife Zeqiri-Iliriana Haliti 1:3

Në konkurrencën e meshkujve në gjysmëfinale u plasuan Rrahman Ademaj, Mentor Shabani, Alban Hoxha dhe Kreshnik Mahmutaj.

Në gjysmëfinalen e parë, Ademaj e filloi bindshëm setin e parë dhe të dytë, kurse Mahmutaj u kthye në lojë duke fituar dy setet vijuese dhe e bëri ndeshjen shumë interesante.

Setin e pestë, vendimtar e vendosi përvoja e Ademajt, i cili e fitoi atë me 11:6 dhe gjithë ndeshjen me 3:2 në seta dhe me meritë kaloi në finale.

Në gjysmëfinalen ferizajase, Mentor Shabani mposhti Alban Hoxhën me 3:2 në sete.

Finalja ofroi lojë cilësore me pikë atraktive dhe rezultati ishte shumë i ngushtë, ku dy setet e parë përfunduan në diferencë në të mirë të Ademajt. Ademaj e fitoi edhe setin e tretë dhe tërë ndeshjen me rezultatin 3:0.

Më të mirët u nderuan me medalje dhe kupa.

Rezultatet, meshkujt:

Gjysmëfinale:

Rrahman Ademaj- Kreshnik Mahmuti 3:2

Mentor Shabani- Alban Hoxha 3:2

Finale

Rrahman Ademaj- Mentor Shabani 3:0.

Ndryshe, më 24 nëntor në Ferizaj do të organizohet turneu ndërkombëtar i veteranëve për nder të Ditës së Flamurit.