Sport

AIBA i kërkon falje Donjeta Sadikut dhe Federatës për mos pjesëmarrjen në Botërorin në Indi

Shoqata Ndërkombëtare e Boksit – AIBA është e zhgënjyer që për shkaqe politike boksieres Donjeta Sadiku iu mohua pjesëmarrja në Botërorin e Boksit për femra në Indi.

Përmes një komunikate për media AIBA thotë se, “është me të vërtetë zhgënjyese që Qeveria e Indisë nuk mundi të gjejë një zgjidhje të kënaqshme për atleten e re Donjeta Sadiku dhe delegacionin e Kosovës përkundër përpjekjeve të AIBA-së dhe Federatës së Boksit të Indisë gjatë javëve, ditëve e orëve të fundit për vizat”.

AIBA thekson se sporti assesi s’duhet të përzihet me politikën.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga kjo situatë. Asnjë boksier nuk duhet të preket nga ndonjë vendim politik derisa provon ta realizojë ëndrrën për të garuar në nivel ndërkombëtar. Politika e sporti në asnjë mënyrë s’duhet të përzihen. Çmojmë përpjekjet e Federatës së Boksit të Indisë, por AIBA do të duhet të rishqyrtojë ofertën e Kampionatit Botëror 2021 për meshkuj. Duke e thënë këtë, dëshirojmë të përsërisim kërkim faljen e sinqertë ndaj Donjeta Sadikut dhe familjes së boksit në Kosovë”, ka deklaruar Gafur Rahimov, president i AIBA-së, transmeton Koha.net.

Kur i jepet organizimi i një ngjarje madhore e boksit, një nga kërkesat primare të AIBA-së është garantimi që të atletët dhe delegacionet e mundshme të marrin pjesë, pa ndonjë diskriminim dhe përtej çdo konsiderate politike.