Sport

Berisha: Ndeshja kundër Maltës është finale për Kosovën

Mesfushori Valon Berisha ka thënë se ndeshja kundër Maltës është finale për Kosovën.

Përballja Maltë - Kosovë zhvillohet të shtunën, në kuadër të Grupit 3 të Ligës D të Ligës së Kombeve.

Më 20 nëntor Kosova e luan ndeshjen e fundit në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Përballë do ta ketë Azerbajxhanin.

“Synimi ynë në të gjitha ndeshjet është fitorja. Ndeshja e parë kundër Maltës do të jetë shumë e rëndësishme, sepse është jashtë Kosovës. Në ndeshjet si mysafirë kemi pasur pak probleme, por duhet të përkushtohemi shumë, sepse është shumë më e rëndësishme se ndeshja kundër Azerbajxhanit që e luajmë në shtëpi. Në shtëpi nuk kemi nevojë për motiv, sepse kemi shikuesit prapa që na mbështesin shumë. Këto ditë duhet të punojmë maksimalisht dhe ndeshjen kundër Maltës duhet ta shohim si finale. Ne kemi qenë favoritë në bazë të lojtarëve, por nuk e kemi pasur lehtë. Ne vazhdojmë të punojmë shumë mirë, por do të jenë shumë ndeshje të vështira. Çdo lojtar duhet ta japë 100-përqindëshin për ta arritur fitoren. Edhe barazimi ndoshta do të ishte mirë, por humbje nuk bën në asnjë rast”, ka thënë Berisha.