Sport

Mullaomeroviq fiton kontratë të re me kalim në fazën e dytë

Trajneri Damir Mullaomeroviq ka udhëhequr Z Mobile Prishtinën drejt suksesit që skuadra e kërkon tash e katër vjet, fazës së dytë të FIBA Europe Cup, e me këtë rast i ka bërë edhe vetes një shërbim të madh.

Tash që Prishtina ka siguruar fazën tjetër të kësaj gare evropiane, kontrata e Mullaomeroviqit është zgjatur të paktën deri në fund të fazës së ardhshme, që i bie të jetë shkurti i vitit të ardhshëm, por ka mundësi të vazhdojë me klubin deri në fund të stinorit, shkruan sot Koha Ditore.

Marrëveshja e klubit me trajnerin që udhëheq edhe me Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll, ishte që të jetë në krye derisa klubi të luajë në Evropë.

E Prishtina me fitoren e arritur të mërkurën në Lituani ndaj skuadrës ukrainase Cherkaski Mavpy (92:73), siguroi të paktën vendin e dytë në grup, mjaftueshëm për të kaluar këtë fazë. Dy ndeshjet e fundit të fazës së parë i luan në shtëpi, kundër Steaua Bucureshtit (13 nëntor) dhe Bakken Bearsit (21 nëntor).

Mullaomeroviq në krye të Prishtinës u zyrtarizua më 4 tetor, kurse në postin e trajnerit e zëvendësoi gjermanin Matthias Zollner, i cili mori drejtimin e ekipit para fillimit të këtij edicioni/ Tahir Sopi.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).