Sport

Klopp pranoi lojën politike të serbëve dhe humbi

Humbja e papritur nga Cërvena Zvezda, ka bërë që Liverpooli të rrezikojë kalimin nga faza e grupeve, dhe për këtë tifozët dhe mediumet angleze po e fajësojnë trajnerin gjerman Juergen Klopp.

Ai pranoi "kushtet" serbe dhe vendosi që Xherdan Shaqiri të mos udhëtonte me ekipin në Beograd, për t'i evituar tensionet, që serbët i kishin paralajmëruar nëse paraqitet kosovari, transmeton Koha Ditore.

Shaqiri është lojtari më në formë i Liverpoolit dhe ishte ndër më të merituarit për fitoren 4:0 në "Anfieled Road" ndaj Zvezdës.

Në ndeshjen e kthimit, të martën në Beograd, mungesa e tij u vërejt dhe Liverpooli, që është nënkampion në fuqi i Ligës së Kampionëve, humbi 2:0.

Kjo ka bërë që Liverpooli të bjerë në pozitën e dytë në Grupin C me gjashtë pikë, sa i ka edhe Napoli si lider. Paris Saint-Germaini është i tretë me pesë pikë, kurse Zvezda ka tubuar katër pikë dhe renditet e katërta. Dy ndeshjet e fundit të fazës së grupeve, Liverpooli i luan me PSG-në në Paris dhe Napolin në shtëpi.

Vetëm dy ekipet e para avancojnë në fazën e nokautit.

E përditshmja "Daily Mail" ka shkruar të mërkurën se vendimi nuk ishte i Shaqirit për të qëndruar në shtëpi, përkundrazi ai dëshironte të luante. Sipas gazetës, ishte trajneri Klopp që me vendimin e tij nuk e ndihmoi aspak futbollin, duke e fuqizuar politikën që nuk duhet të përzihet në asnjë mënyrë në sport.(Më gjerësisht mund të lexoni sot në Koha Ditore).