Sport

Spalletti e pranon se Barça ishte superiore ndaj Interit

Barcelona ishte skuadra që e dominoi takimin kundër Interit, por të dy skuadrat u ndanë në barazim me golat e shënuar në minutat e fundit, fillimisht nga Malcom e më pas barazoi Mauro Icardi.

Trajneri Luciano Spalletti e pranon që skuadra e tij kishte përballë një ekip superior në çdo aspekt, por përgëzon lojtarët për mënyrën sesi ata reaguan pas golit të pësuar.

“U duk sikur ndeshja do të përfundonte 0-0, më pas erdhi goli i papritur, por reagimi i djemve ishte shumë i rëndësishëm”, tha Spalletti.

“Djemtë dolën përpara dhe Icardi shënoi golin, ai shkoi për të marrë topin nga rrjeta dhe e vendosi në qendër, pasi kishin mbetur edhe disa minuta dhe donim të fitonim lojën”.

“Vuajtëm në pjesën e parë, për të njëjtën arsye si në ndeshjen e mëparshme: ata janë shumë të zotët me topin në zotërim. Barcelona mbetet më e fortë se ne të tjerët”.

“Ata janë shumë të mirë në pasime dhe në shpërqendrimin e mbrojtësve kundërshtarë. Barcelona ishte pranë golit dy apo tri herë, por ekipi kishte kurajën dhe mentalitetin që kërkonin tifozët, kështu që jemi të kënaqur për këtë gjë”, theksoi trajneri i Interit.