Sport

Kloppi shpjegon vendimin për Shaqirin

Descriptive Text

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, shpreson se me vendimin që të mos e marrë Xherdan Shaqirin në Beograd për ndeshjen me Cërvena Zvezdën ka shmangur një situatë potencialisht shpërthyese.

27-vjeçari me rrënjë nga Kosova kishte festuar me shqiponjë golin e fitores për Zvicrën ndaj Serbisë në Kampionatin Botëror duke nxitur reagim të ashpër në Serbi. Që nga hedhja e shortit për Ligën e Kampionëve u raportua vazhdimisht se Shaqiri do të ketë pritje “të nxehtë” në Serbi.

Një ditë para takimit të dytë mes dy skuadrave sivjet, Kloppi ka thënë se këtë vendim e ka marrë për shkak të politikës dhe ka thënë se vendimi u pranua nga lojtari.

Zyrtare: Kloppi nuk e merr Shaqirin në Beograd për ndeshjen kundër Zvezdës

“Po. Kam marrë vendime të tilla për ekipin që luan shumë herë dhe lojtarët deri tash gjithmonë e kanë pranuar”, ka thënë Kloppi.

Ai ka thënë se si sportistë duhet të qetësojnë situatën dhe se duhet të koncentrohen vetëm në futboll.

“Duhet të qetësojmë situatën. Nuk mund ta qartësojmë sonte dhe nuk është puna jonë. Njerëzit këtu e dinë më mirë situatën. Jemi në Serbi, e respektojmë këtë 100 për qind. Kjo është bota. Politika gjithmonë ka ndikuar në jetë, të paktën në jetën time, dhe kjo qëndron. Por s’jemi këtu për këtë. Jemi të luajmë futboll. Do të bëjmë çmos të jemi të fokusuar në futboll. Mund të bëhej ngjarje, por nuk donim që të kemi ngjarje përveç asaj të futbollit”.

Klopp, sipas raportimeve, vazhdimisht ka kërkuar edhe nga përkthyesi që t’i përmbahet fjalëve të tij dhe të mos ketë devijim apo version që mund të keqkuptohet apo keqinterpretohet.