Sport

Guardiola thotë se nuk e ka kërkuar asnjëherë transferimin e Messit

Lionel Messi asnjëherë nuk ka qenë një nga lojtarët që trajneri Pep Guardiola iu ka kërkuar klubeve që ta transferojnë.

Që prej largimit nga Barcelona Guardiola kishte marrë drejtimin e Bayern Munichut, dhe tani e udhëheq Manchester Cityn, transmeton Koha.net.

E së fundmi El Mundo ka raportuar se City ishte i gatshëm të paguante klauzolën prej 250 milionë euro të Messit në tetorin e vitit të kaluar, dhe t’i ofronte argjentinasit pagë të njëjtë si te Barça, por Guardiola ka mohuar gjithçka.

“Kur u largova nga Barcelona dhe shkova te Bayerni dhe Manchester City asnjëherë s’kam kërkuar transferimin e Messit. Madje asnjëherë nuk kam shkuar tek asnjëri klub për t’i thënë e dua këtë lojtar. E di se sa i rëndësishëm është ai për Barcelonën, dhe asnjëherë s’kam bërë hapin e parë për ta kërkuar atë. Një mijë herë e kam thënë që dua që ai të qëndrojë në Barcelonë, dhe ende e dua këtë”, ka deklaruar Guardiola.

Më 2017 Messi kishte vazhduar kontratën me Barcelonën me ç’rast klauzola e tij ishte 700 milionë euro.