Sport

Zero tolerancë ndaj gabimeve të qëllimshme të gjyqtarëve, thotë FFK-ja

Descriptive Text

Në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës janë mbajtur dy takime të rëndësishme me gjyqtarët dhe kontrollorët e futbollit. Të pranishëm në këtë takim krahas presidentit të FFK-së, Agim Ademi dhe zyrtarit për integritet të garave në FFK, Ejup Osmani, kanë qenë të pranishëm edhe kryetari i Këshillit Kombëtar për parandalimin e dukurive negative dhe dhunës në sport, prokurori Besim Kelmendi dhe anëtari i këtij këshilli, Halit Muharremi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Ademi fillimisht theksoi se ky takim ishte caktuar më herët, por ka rastisur të ndodhë edhe në periudhën kur ndeshjet e futbollit janë përfolur shumë në këto dy javët e fundit. Ademi dhe Kelmendi theksuan se qëllimi i këtij takimi është që gjyqtarëve t’u tregohet se çdo gabim i qëllimshëm apo përfshirje në ndonjë kurdisje të rezultatit do të sanksionet ashpër.

“I kemi pasur dy xhiro që janë përfolur shumë. Unë e vlerësoj shumë këtë edicion, pasi deri tash gjithçka ka rrjedhur mirë, por në dy xhirot e fundit kemi pasur gabime, të cilat unë i konsideroj si gabime të paqëllimshme. Gjithsesi, ky këshill është duke i hetuar shumë raste që kanë të bëjnë edhe me sportin përkatësisht futbollin dhe pjesë e këtyre hetimeve janë edhe disa ndeshje nga edicioni i kaluar. Shpresoj të mos dalë diçka sepse sanksionet do të jenë tepër të ashpra. Ju lus që të jeni syçelë, sepse nga aspekti sportiv ne do të veprojmë dhe do t’iu ndëshkojmë në bazë të rregulloreve tona të brendshme, por nëse ka diçka më shumë dhe Këshilli gjen prova për ndonjë shkelje të qëllimshme apo kurdisje të rezultatit, atëherë do të mund të përfundoni edhe nën pranga”, ka deklaruar Ademi.

Ai ka shtuar se, “UEFA na ka sugjeruar që të bëjmë vlerësimin real të ligës në mënyrë që të na mundësojë të rritemi me numrin e skuadrave në garat ndërkombëtare. Prandaj në këtë edicion duhet ta nxjerrim të vërtetën e cilësisë sonë në ligë. Por, nuk mund ta nxjerrim të vërtetën nëse ju referoni keq”.

Ai ka paralajmëruar se mund të ketë sanksione të ashpra, sidomos nëse gabimet janë të qëllimshme.

“Nëse nuk referoni si duhet, atëherë nuk fiton ekipi që e meriton, por ekipi që ju e mendoni që duhet të fitojë apo ju ja mundësoni me apo pa dashje. Nëse gabimi është pa dashje natyrisht se do t’iu sanksionojmë në aspektin sportiv, por nëse është i qëllimshëm atëherë do t’i lihet hapësirë drejtësisë për të vepruar. Unë nuk do të kisha dashur të ndodhë diçka e tillë, pasi kam besim tek puna juaj dhe të gjithë tashmë keni përvojë dhe që e doni futbollin. E di që ka pasur gabime, por besoj që ato kanë qenë të paqëllimshme. Por, duhet ta keni parasysh se më do të ketë zero tolerancë ndaj gabimeve qoftë të qëllimshme apo edhe atyre të paqëllimshme. Kërkoj nga ju që të jeni vigjilentë dhe të mos lëshoheni në afera të ndryshme sepse në fund do ta pësoni keq”, është shprehur kreu i FFK-së.

Ndërkaq edhe kryetari i Këshillit Kombëtar, prokurori Besim Kelmendi, ka kërkuar nga gjyqtarët që të jenë të vëmendshëm dhe të gjykojnë drejtë në ndeshjet e futbollit dhe mos të lejojnë persona të ndryshëm që të ndikojnë në punën e tyre.

“Dje rastësisht lexova në mjetet e informimit dhe pashë që në dy – tri ndeshje ka dyshime se ka pasur referime të qëllimshme për të keq. Ne jemi këshillë që kemi qëllim për të parandaluar fillimisht të ndodhë një e keqe, por e kemi edhe një obligim që duhet t’i sanksionojmë dukuritë negative në sport”, ka thënë Kelmendi.

Ai ka shtuar se deri më tani ka pasur shumë zëra se drejtësia nuk po funksionon, por perceptimi dhe realiteti janë dy gjëra të ndryshme.

“Nuk e kam qëllimin për t’iu frikësuar, por për t’iu ndihmuar që bashkërisht të takohemi për të mirë e jo në zyrat e policisë apo të prokurorisë. Të jesh gjyqtar në ditët e sotme qoftë në çështje civile, penale apo sportive është puna më e shenjtë për një njeri normal, të sinqertë dhe të drejtë. Të gjykosh nuk është lehtë. Janë dy ekipe që luajnë kundër njëra-tjetrës dhe secila dëshiron të fitojë. Çdo veprim i juaji është tepër i rëndësishëm për ta dhe një gabim i juaji mund t’ia shkatërrojë të gjitha ëndrrat që i ka pasur si lojtar apo ekip. Ne e kemi një ligj i cili na obligon me përcjell çdo ndeshje sportive. Madje, federatat e kanë obligim për t’ia siguruar vendin anëtarëve të këshillit në stadium. Prej se kemi filluar si Këshill ne kemi pasur disa raste që kemi ndërmarrë veprime konkrete për të filluar ndjekje penale për disa persona që për fat të mirë nuk janë gjyqtarë, por që janë njerëz që janë zyrtarë të disa federatave që kanë shkelur ligjin me apo pa dashje. Te ne përgjigjesh penalisht edhe për nga pakujdesia”, ka thënë Kelmendi.

Më tutje ai ka shtuar se në ditët e sotme teknologjia ka përparuar shumë dhe ta keni parasysh se çdo veprim që e bëni llogariteni se jeni të incizuar apo të fotografuar dhe ato shërbejnë si prova në çdo procedurë penale.

“Pra këtë po ua themi që të jeni sa më syçelë dhe të mos mendoni se po merrem vesh unë me dikë që X ekipi të fitojë sot sepse çdo veprim është i përcjellë dhe nëse del pastaj diçka e vërtet nga hetimi, atëherë sanksionet do të jenë shumë të ashpra. Nuk ka qenë e lehtë të bëhemi anëtar të UEFA-s, prandaj edhe ne si prokuror të shtetit e kemi për detyrë ta mbrojmë shtetin”, është shprehur Kelmendi.

Po ashtu prokurori Kelmendi ka ftuar gjyqtarët që për çdo lloj kërcënimi apo rreziku t’i drejtohen policisë dhe prokurorisë dhe ta kërkojnë ndihmën e shtetit.

“Ne nuk jemi vetëm për t’ia gjetur gabimet, por edhe t’iu ndihmojmë kur ju keni nevojë. Siguria e juaj deri tash nuk ka qenë e kënaqshme, por kjo nuk do të thotë se duhet të lejojmë anarki në sport. Anarki është edhe kur ju sulmojnë juve, por edhe kur ju i ndihmoni njërit ekip për interesa të caktuara. Pra, ne do ta zbatojmë ligjin në përpikëri. Nëse nuk mundemi 100 për qind, fillojmë me 99 përqind. Ju e doni futbollin dhe nëse e keni zgjedh me dëshirë, atëherë tregoni krejt Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar se jeni gjyqtarët më të mirë. Gabimet janë të mundshme, pasi çdo njeri në çdo profesion gabon. Por mos harroni gabimi i qëllimshëm dallon shumë nga ai që është i paqëllimshëm”, ka shtuar kryetari i Këshillit Kombëtar për parandalimin e dukurive negative dhe dhunës në sport.

Edhe në takimin tjetër me kontrollorët e referimit presidenti Ademi dhe prokurori Kelmendi kërkuan kujdes të shtuar dhe syçeltësi për të mos lejuar dukuritë negative të përfshihen në futboll. Ata nga kontrollorët u kërkua që të jenë të drejtë në vlerësimin e tyre për gjyqtarët, ngase pikërisht nga notat e tyre bëhet edhe gjykimi i personave zyrtarë të ndeshjeve.