Sport

Sokoli injoron Batatinën, thotë se nuk e bojkotuan të gjithë lojtarët

Foto: Koha

Ish-trajneri i Llapit, Bylbyl Sokoli, nuk ka dashur të flasë për sulmin që i është bërë nga persona ende të panjohur, duke thënë se policia i ka kërkuar që të heshtë në këtë fazë të hetimeve.

Por, Sokoli ka folur për largimin nga Llapi, ku edhe e pranoi se raportet e tij me drejtorin sportiv të llapjanëve, Tahir Batatina, nuk kanë qenë të mira dhe hezitoi t’i përgjigjej Batatinës për akuzat që i ka bërë në drejtim të tij.

Sokoli theksoi se nuk është bojkotuar nga të gjithë futbollistët e Llapit gjatë kohës sa e drejtoi ekipin nga Podujeva, përveç disave, emrat e të cilëve nuk i përmendi.

Trajneri nga Rahoveci është akuzuar nga drejtori i Llapit, Tahir Batatina, se kishte shkuar në Podujevë për ta shkatërruar Llapin dhe është fajtor për largimin e donatorëve, gjë e cila është mohuar nga Sokoli.

Bylbyl Sokoli u shkarkua nga Llapi, pas xhiros së 10-të, ku llapjanët humbën nga Prishtina, në “Fadil Vokrri”, me rezultat 2:1.