Sport

Chelsea luan kundër Unitedit, Mourinho kthehet në “Stamford Bridge”

Superndeshje do të ketë në Premier Leaguen angleze në këtë fundjavë.

Chelsea i Maurizio Sarrit kundër Unitedit të Mourinhos, që kthehet në “Stamford Bridge”.

Mënyra se si fitoi Unitedi në ndeshjen e fundit kundër Newcastleit me tri gola në 20 minutat e fundit, me krejt artilerinë në sulm, ka ngritur çështjen nëse ai do të ketë stil pozitiv të lojës, transmeton KTV.

Chelsea i vendit të dytë është ende i pamposhtur sivjet dhe ka pikë të njëjta me kampionin në fuqi Manchester Cityn dhe Liverpoolin, nga 20, e në radhët e veta e kanë sulmuesin në top-formë Eden Hazard.

“Djajtë e Kuq” pozicionohen në vendin e tetë me 7 pikë më pak se liderët e tabelës, derisa janë mposhtur nga Brightoni dhe West Hami si mysafir, dhe nga Tottenhami në shtëpi, kështu që Mourinho nuk do ta dëshironte një tjetër humbje në Londrën Perëndimore.

Unitedi ka vetëm pesë fitore si mysafir i Chelseat në 52 ndeshjet e Premier Leagues.

Chelsea kërkon vazhdimësinë e nëntë ndeshjeve pa disfata, e një gjë të tillë e bënin edhe në edicionet 2005/06 dhe 2014/15, kur e fitonin titullin.

“Blutë e Londrës” e kanë përmirësuar dukshëm lojën nën drejtimin e Sarrit, dhe kryesojnë në listën e ekipeve me më së shumti pasime, 5728 në total, kurse Jorginho, futbollist i Chelseat, i vetëm ka 853.

Te Chelsea nuk do të luajë Antonio Rudiger për shkak të lëndimit në muskul, kurse në dyshim është mesfushori Ross Barkley.

Unitedit pritet t’i mungojë Matiq dhe Luke Shaw, ndërsa në dyshim mbetet Scott McTominay.

Chelsea-Manchester njëherësh e hap edhe xhiron e nëntë të Premier Leagues, pasi zhvillohet të shtunën në ora 13:30.

Kampioni në fuqi Manchester City luan poashtu të shtunën në ora 16:30 kundër Burnleyt, ndërsa Liverpooli udhëton te Huddersfieldi, në ballafaqimin që nis në ora 18:30.

Kjo xhiro në elitën e futbollit anglez mbyllet të hënën, me takimin mes Arsenalit e Leicester Cityt.