Sport

Qendërmbrojtësi i Barcelonës ‘kalon’ në tenis

Descriptive Text

Gerard Pique përfitoi nga ditët e pushimit për shkak të ndeshjeve të kombëtareve për t’iu dedikuar një tjetër disipline sportive tenisit. Qendërmbrojtësi i Barcelonës udhëtoi drejt Madridit për të diskutuar formatin e ri të propozuar për turneun e Kupës Davis në tenis për meshkuj, i cili do të pësojë ndryshime për vitin e ardhshëm.

Formati i ri i Kupës Davis ka disa probleme pasi rezulton se do të ketë një përplasje me Kupën e Botës për skuadra, që është një tjetër eveniment i ri i ATP dhe që do të mbahet pak javë më vonë në Australi. Kupa Davis e re është parashikuar të zhvillohet në muajin nëntor të 2019, një periudhë kjo kur tenistët vendosin të marrin pushimet e tyre pas 10 muajsh aktivitet intensiv.

Që ky turne i ri të ketë sukses është e nevojshme që të marrin pjesë emrat e mëdhenj të tenisit botëror si Rafael Nadal, Novak Djokovic e Roger Federer. Pique është shfaqur i bindur se Nadal e Djokovic do të luajnë këtë turne, ndërkohë që ai do të kërkojë të bindë edhe Federer.

“Kam folur me të gjithë lojtarët-tha Pique që është njëkohësisht edhe themeluesi i Kosmos, kompanisë që promovon formatin e ri të Kupës Davis-Nadal është pozitiv dhe nëse nuk do të jetë i dëmtuar do të luajë. Kam biseduar edhe me Djokovic, kam besimin se do të arrijmë një marrëveshje me të. Ndërsa Federer është në atë pikë të karrierës ku ai vendos në prioritetet e tij turnetë më të rëndësishëm. Dyert e Kupës Davis për të janë të hapura”, u shpreh Pique.

Më pas Gerard Pique theksoi se Federata Ndërkombëtare e Tenisit që organizon Kupën Davis është ende në bisedime me ATP, institucionin përgjegjës së turneve të tenisit për meshkuj për këtë kompeticion.