Sport

Golat dhe rastet nga ndeshja Gjilani – Llapi

Gjilani dhe Llapi i kanë ndarë pikët, duke luajtur 1:1, në ndeshjen e javës së 26-të të Vala Superligës, e cila u zhvillua të shtunën dhe u ndoq nga një numër i vogël i shikuesve.

Të dy golat u shënuan në pjesën e parë, kurse 45 minutat e dytë, përveç që nuk sollën gola, të pranishmit nuk panë as lojë cilësore, raporton KTV.

Gjilani dominoi dhe krijojë disa mundësi të mira shënimi në fillim të ndeshjes, por në të dyja rastet, Haxhimusa nuk arriti të gjejë golin.

Së pari në minutën e 5-të gjuajtjen e tij e priti Avdyli, kurse në minutën e 22-të, goditja e tij me kokë shkoi mbi portë..

Por atë që nuk e bëri Haxhimusa, arriti ta bëjë mesfushori, Zgjim Mustafa në minutën e 25-të, i cili shënoi nga afërsia pas pasimit të Thaçit.

Llapi nuk u tregua i rrezikshëm deri në fund të pjesës së parë, kur edhe arriti të barazojë rezultatin.

Së pari, në minutën e 44-të, Daku dhe Bërbatovci provuan të shënojnë, por portieri Kaçiu në të dyja rastet shpëtoi gol të sigurt.

Ndërkaq, në minutën e katërt të kohën shtesë, sulmuesi i Llapit, Florim Bërbatovci, fitoi penallti dhe vet e shndërroi në gol për të barazuar rezultatin në 1:1.

Në pjesën e dytë, edhe pse tentuan të dyja skuadrat, nuk arritën të shënojnë dhe loja e shfaqur nga të dyja palët, nuk i kënaqi të pranishmit, pasi u panë vetëm dy raste.

Rastin më të mirë për Gjilanin, e pati Vllaznim Jashari, në minutën e 72-të goditja e të cilit shkoi jashtë.

Ndërkaq për Llapin, mundësinë më të mirë e lëshoi Berat Hyseni në minutën e 80-të dhe kështu skuadrat i ndanë pikët.

Në javën e 27-të, Gjilani është mysafir i Prishtinës, kurse Llapi e pret Besën.