Sport

Batistuta: Argjentina duhet ta ftojë Icardin para Higuainit

Legjenda e futbollit argjentinas e sheh Mauro Icardin si sulmuesin perfekt të kombëtares.

Mauro Icardi po shkëlqen me Interin në Serie A, por atij nuk po i jepet mundësia që të luajë fare për Argjentinën.

Një ndër sulmuesit më të mirë që ka pasur Argjentina, Gabriel Batistuta, mendon se ka ardhur koha për Icardin që të ftohet në kombëtare në vend të Gonzalo Higuain, i cili nuk po jep më të mirën nga vetja ashtu si me klubin e tij aktual Juventusin, transmeton kp.

“Numri 9 duhet t’i takojë atij që shënon gola”, ka theksuar ‘Batigol’ për TyC Sports.

“Higuain më pëlqen shumë, por fatkeqësisht ai nuk po jep kontributin e duhur me kombëtare ashtu siç po bën në Evropë. Ai po luan shumë mirë me Juventusin dhe ka mundësi që të fitojë trofe me këtë skuadër, por nëse Gonzalo ka nevojë për pak pushim, pse nuk ftohet një lojtar si Icardi i cili e meriton t’i jepet një rast?”, ka thënë ai.

“Kjo është kombëtare dhe jo klub, prandaj duhet të luajnë ata që janë më në formë”, ka përfunduar Batistuta.