Sport

Kondogbia beson se Interi mund të arrijë Ligën e Kampionëve

Geofrey Kondogbia nuk dorëzohet. Mesfushori i skuadrës së Interit u bëri apel shokëve të tij, që kurrë nuk duhet të tërhiqen në arritjen e objektivave sezonale, edhe atëherë kur matematika nuk lë shumë hapësira për të shpresuar, në një mision siç është kualifikimi për në Ligën e Kampionëve.

“Asgjë nuk ka përfunduar. Personalisht jam i idesë që nëse kërkon me të vërtetë diçka, atëherë duhet të luftosh deri në fund. Besoj fort te kjo skuadër, sepse i ka të gjitha mundësitë për të arritur kualifikimin për në Champions. Ka ende shumë ndeshje për t’u luajtur. Nuk do të jetë e lehtë, por nëse japin maksimumin asgjë nuk është e pamundur”, është shprehur ai.

Më tej francezi foli dhe për marrëdhënien e tij me trajnerin Stefano Pioli si dhe iu përgjigj edhe pyetjes nëse duhet të jetë apo jo 51-vjecari në krye të stolit zikaltër sezonin e ardhshëm.

“Trajneri më ka transmetuar besimin e tij dhe unë e falënderoj për këtë gjë. Ai e mori ekipin në një moment të vështirë dhe sot falë tij jemi më të organizuar taktikisht. Për sa i përket të ardhmes së tij, mund të them që fokusi ynë kryesor është kampionati”, ka thënë Kondogbia, transmeton Supersport.

Jashtë vëmendjes së Kondogbia nuk mund të qëndronte as derbi i Madoninës, që do të luhet më 15 prill, Inter-Milan.

24-vjeçari deklaroi se ai së bashku me shokët e tij të skuadrës dhe mbështetjen e tifozëve do të japin gjithçka për ta fituar.