Sport

Oferta e Hungarisë për stadiumin e Kosovës

Sekretari Levente Magyar, në intervistën dhënë “Kohës Ditore” ka treguar për bashkpunimin në sport në mes të Kosovës dhe Hungarisë.

KD: Sa i përket bashkëpunimit në sport, Hungaria ka shprehur interesim për ndërtimin e stadiumit kombëtar të futbollit në Kosovë. A ka diçka konkrete në këtë drejtim?

Levente Magyar: Çështja tjetër kryesore që kemi diskutuar ishte ndërtimi i stadiumit kombëtar të Kosovës në futboll. Është një plan për të cilin ka pritje që ky projekt do të realizohet brenda një afati optimal. Prioritet i vizitës sime në diskutimet e nivelit të lartë kanë pasur të bëjnë me këtë projekt specifik, ndërmjet Hungarisë dhe Kosovës. Mënyra se si planifikojmë të realizohet ky projekt është duke ofruar financim me kushte të favorshme. Hungaria është e gatshme të financojë këtë investim përmes një kredie të favorshme në Bankën Shtetërore të Hungarisë. Po ashtu ka kompani të interesuara të investojnë dhe të ndërtojnë stadiumin. Ato janë kompani që kanë realizuar ndërtime të shumta edhe në Hungari vitet e fundit, përfshirë infrastrukturën sportive. Jemi duke ndërtuar disa stadiume të reja, anekënd Hungarisë. Kemi nisur ndërtimin e stadiumit tonë kombëtar aty ku gjendet aktualisht i vjetri, i cili është ndërtuar në vitet 50-ta. Ne e kuptojmë rëndësinë e këtyre investimeve, e kuptojmë shpirtin kombëtar, dinjitetin dhe integritetin e një vendi të ri, që ka arritur pavarësinë. Kemi njohuri në futboll, dhe përvojë në anën fizike si të ndërtojmë stadiume. Pra kemi diskutuar dhe kemi ardhur te disa vendime të rëndësishme, tani është në anën e Kosovës që të punojë me ne. Pra ne do të donim të participojmë në garën për ndërtimin e stadiumit, qoftë me kompani turke, gjermane.

KD: A e keni prezantuar ofertën tuaj dhe çka përfshin ajo?

Magyar: Kemi biseduar dhe jemi afër zgjidhjes, brenda javës besoj që Kosova do ta marrë vendimin. Ka interesim të kompanive hungareze që me përvojën e tyre të kontribuojnë. Pra mendoj se kemi një ofertë të mirë.

KD: Për sa vite do të ndërtohej ky stadium?

Magyar: Nuk jam në pozicioni të zbuloj sekrete të tjera, por them se detajet e projektit nuk janë vendosur ende. Jemi duke pritur për planin final, ku do të përcaktohet si do të ndërtohet, kur, sa i madh do të jetë, sa do të kushtojë etj. Pra janë aspekte teknike dhe Hungaria është në pozitë të favorshme, krahas vendeve të tjera, për ta marrë përsipër ndërtimin e këtij stadiumi.