SOT

Përsëri në bankat e gjimnazit, 20 vjet pas

Janë pikërisht këto banka në të cilat paralelja e 8-të e gjeneratës ’98 – 2002, në gjimnazin “Sami Frashëri” zhvillonin procesin mësimor.

20 vjet pas u ulën përsëri këtu.

Në po këto vende ku janë ulur atëherë e me profesorin e lëndës së gjuhës shqipe përballë, për të ecur nëpër kujtimet që i kanë bashkë.

E, përjetime të paharruara mbesin ato që krijohen nga shoqëritë e shkollës së mesme.

Sidomos kur afërsia me njëri-tjetrin ishte më e madhe, marrë parasysh kohën e vështirë të atyre viteve.

Nga shtëpia-shkollë në “Kodrën e Trimave” ku e përfunduan vitin e parë të gjimnazit, në objektin e ri të “Sami Frashërit”, i cili iu dukej “si pallat”, rrëfen Herolindë Zagragja – Goçi.

Edhe pse kontaktet me njëri-tjetrin pas gjithë kësaj kohe i ruajtën, ky takim u fali emocione të cilat me shumë nostalgji i përshkruan Musli Krasniqi, tash drejtor për media dhe komunikim me publikun në Kuvendin e Kosovës.

Pak më e veçantë për ta mbetet lënda e gjuhës shqipe, dhe shumë detaje nga orët e profesorit Fadil Fetahu i mbajnë në mend.

Për profesorin Fetahu, ky takim për ta shënuar 20-vjetorin e maturës u kthye në një arsye më shumë për t’iu treguar ish-nxënësve të tij se sa krenar ishte dhe është me ta.

Në mesin e tyre nuk munguan as shakatë e të qeshurat me ngjarjet nga e kaluara të cilat mirë i ka ruajtur kjo klasë.

Ambiciet e tyre që i patën si gjimnazistë e në kohë lufte, u kthyen në një realitet dy dekada më pas.