SOT

Asdren Begu, tifozi i vogël me famë të madhe në Mitrovicë

Është vetëm 11 vjeç, por mosha që ai ka nuk i pengon që në ulëset e palestrës ta shprehë dashurinë për ekipin e tij të zemrës, Trepçën.

Asdren Begu nga Mitrovica, me një entuziazëm të jashtëzakonshëm, përcjell në tribuna çdo ndeshje të klubit të basketbollit “Trepça”, ku palestra “Minatori” është bërë shtëpia e tij e dytë.

Në çdo ndeshje atë e shohim pranë babait të tij, dhe së bashku, ata mbështesin klubin e qytetit me pasion të madh, me brohoritje dhe këngë të ndryshme.

Asdreni i kujton mjaft mirë momentet kur ka filluar të edukohet në frymën e dashurisë për Trepçën dhe për ngjyrën e gjelbër dhe të zezë, ngjyra këto që simbolizojnë këtë ekip.

E pasi u bë i njohur për emocionet që dhuron në çdo lojë, shokët e shkollës së Asdrenit filluan t’i kërkojnë atij edhe autografe.

E gjithë kjo, për të ka qenë e trashëguar nga babai i tij, Shefqet Begu – Qeti, i cili në vitin 1984 ka qenë themelues i njërit ndër grupeve më të vjetra në Kosovë, “Torcida”. Që prej themelimit, ai vazhdimisht ka qenë në krye të tifozërisë mitrovicase. Begu përkujdeset që të rrëfejë për fillet e para të Torcidës dhe vështirësitë që kanë hasur.

Ai tregon se edhe dy djemtë e tij më të mëdhenj kanë qenë pjesë e pandashme e palestrës sportive, dhe kështu, Asdreni është mësuar qysh prej moshës më të vogël që t’i dojë dhe t’i përkrahë me zemër Trepçën dhe Mitrovicën, kudo që ato ndodhen.

Megjithatë, për 11-vjeçarin prioritet mbetet shkolla, dhe pret që ta bëjë familjen e tij krenar me arsimim, ku në radhë të dytë vjen basketbolli.

Asdren Begu ka një vit që ushtron basketboll për të rinjtë e Trepçës, dhe pozita që ai luan është “playmaker”. Në kohët e fundit, ai po konsiderohet si tifozi më i famshëm në Kosovë, dhe është shndërruar në një ikonë të këtij sporti në qytetin e Mitrovicës.