SOT

Mërgimtarja ndihmon në qendrën për fëmijë me aftësi të kufizuara

Mërgimtarja ndihmon në qendrën për fëmijë me aftësi të kufizuara

Fëmijë me vështirësi në të ecur, ata me vështirësi në të folur e fëmijë të cilët nuk kanë folur asnjë fjalë që nga lindja ka kohë që për trajtimin e tyre kanë një adresë.

Qendra ‘’Floriani’’ në Skenderaj është vendi ku familjet e fëmijëve me aftësi të kufizuara marrin këshillime mbi trajtimin e më të vegjëlve të tyre, si dhe vendi ku ofrohet edukimi parashkollor për ta.

Në mungesë të një hapësire për zhvillimin e aktiviteteve nga fëmijët e kësaj komune, drejtoresha e qendrës, Lirie Konjuhi – Vojvoda, tregon se si erdhën deri te hapja e kësaj qendre dhe ardhja e saj nga Gjermania në Kosovë për këtë qëllim.

Ku hapi i parë drejt krijimit të kësaj qendre thotë se ka qenë vizita në familjet e Skenderajt e rrethinës për vetëdijesimin e familjeve me këta fëmijë.

Iniciativa ka ardhë prej zotit Ismet Mziu, i cili jeton në Fordsheim të Gjermanisë. Ai ka dashur që edhe fëmijët në Kosovë të kenë një qendër si djali i tij në Gjermani. Në Skenderaj nuk ka pasur asnjëherë një qendër të tillë.

Ai në një vizitë të tijën në Kosovë e ka pasur një prind me fëmijë më aftësi të kufizuara dhe me t’u kthyer në Gjermani ka kërkuar dhe ka gjetur përkrahje. Është kthyer në atdhe dhe ka biseduar me institucionet për të nisur punën në vitin 2005. Në vitin 2007 qendra ka hapur dyert dhe në fillim kemi pasur numër të vogël të fëmijëve.

Nga ushtrimet e fizioterapisë e deri te lojërat e puna e vazhdueshme me ta, Konjuhi tregon se kanë arritur të ndihmojnë shumë fëmijë t’i kthehen një jete normale larg paragjykimeve.

Qendra që ka për qëllim aftësimin e fëmijëve dhe përgatitjen e tyre për arsimin e rregullt deri më tani ka ndihmuar 14 fëmijë të vijojnë mësimin në klasa të rregullta.

Ndërsa, flet edhe për rastet që ua kanë kthyer të folurit fëmijëve.

Deri më tash 14 fëmijë kanë arritur të vazhdojnë shkollimin në klasa të arsimit të rregullt. Kemi 14 fëmijë të tjerë që nuk kanë folur asnjë fjalë dhe falë punës së qendrës ata sot flasin. Më shumë raste kemi te fëmijët me përmirësime në të folur. Përveç trajtimit të fëmijëve e kemi edhe këshillimin e familjes, ku për fillim nis me biseda me prindër që të pranojnë fëmijën e tyre.

Edhe pse në natyrë puna e tyre di të jetë e lodhshme, drejtoresha e Qendrës thotë se fëmijët janë ata që gjithmonë e bëjnë më të lehtë kalimin e situatave të ndryshme.

Përballja me realitetin dhe rrethin ku këta fëmijë jetojnë, për Konjuhin është shumë e rëndësishme e për ta bërë më të lehtë këtë integrim në shoqëri Qendra organizon aktivitete të ndryshme në terren.

Sukseset e Qendrës në integrimin e fëmijëve në shoqëri vlerësohen shumë edhe nga Komuna.

Sidomos kthimi i një shumice të fëmijëve në klasa të rregullta mësimi.

Komuna e Skenderajt ka prioritet gjithmonë kujdesin dhe arsimimin e nxënësve me nevoja të veçanta e veçanërisht rëndësi ka qendra ‘’Floriani’’, e cila është e vetmja qendër private që kujdeset për moshat e nxënësve para se të futen në shkollë. Është një qendër e cila bën një punë jashtëzakonisht të mirë që funksionon tash e sa vite dhe ka një staf profesional, ne kemi bashkëpunuar në mënyrë të vazhdueshme me këtë qendër, kemi ofruar edhe përkrahjen tonë.

Qendra operon me gjashtë punëtorë, 2 punëtorë socialë, 2 edukatore, 1 shofer, si dhe drejtoresha Konjuhi që njëherësh është edhe fizioterapeute.