SOT

Vullnetarët rregullojnë klasën e parafillorëve

Vullnetarizmi i ka bërë bashkë disa të rinj të qytetit të Ferizajt.

Në shkollën e fshatit Sazli ata ndërmorën iniciativë për rregullimin e klasës së nivelit parafillor.

Është Leona Jahiri, 20-vjeçarja, që ka vite prej se bën punë vullnetare bashkë me moshatarët e saj.

“Punën vullnetare e kam filluar herët, fillimisht në klasën e 6-të të shkollës fillore ku kemi pasur aktivitet të ndryshme. Kësaj radhe ideja ime së bashku me kolegët ka qenë t’i ndihmojmë fëmijët në parafillor, nisur nga kushtet i kanë shumë shkolla në Kosovë. E kemi zgjedhur shkollën “Arsim Rexhepi në Sazli, ku e kemi bërë rinovimin e klasës”, thotë Leona Jahiri.

Motivi për punën vullnetare dhe dëshira për të kontribuar në vend e shtyri Leonën që të refuzojë bursën e fituar për studime jashtë vendit.

“Në klasën e 11-të, unë pata fituar një bursë 100% për studime jashtë vendit, në një shtet të Evropës, por e kam refuzuar, sepse kam menduar se mund të kontribuojë më shumë në vend, për këtë arsye kam vendos që studime universitare me i kry qytetin e Ferizajt”, shprehet Jahiri.

Për rregullimin e klasës së parashkollorëve, këta të rinj i kishin ndarë përgjegjësitë.

Obligimet që i kishte i tregon Samir Selmani, i cili flet edhe për ndjenjën e të punuarit si vullnetar.

“Ka 3-vjet prej se merrem me vullnetarizëm, ku kam krijuar shoqëri dhe na ka ndihmuar në shumë fusha jetësore. Në klasën që e kemi rinovuar përgjegjësitë e mia kanë qenë kryesisht punët fizike”, thotë i riu Samir Selmani.

E emocionuar dhe entuziaste thotë të ketë qenë drejtoresha e shkollës me ta pranuar kërkesën e të rinjve për t’ua rregulluar klasën parashkollorëve.

“Në momentin kur Leona bashkë me shokët e saj më kanë treguar për projektin e menduar në shkollën tonë, unë kam qenë më e emocionuar se fëmijët. Kanë punuar gjatë pushimit veror dhe gjithë kohës ishim në kontakt, më dërgonin fotografi. Ka qenë një punë shumë e mirë ekipore”, thekson drejtoresha Zerjete Hamza-Shahini.

Të rinjtë nga Ferizaj thonë se kanë planifikuar edhe aktivitete të tjera plotësisht në baza vullnetare, që do t’i kontribuojnë komunitetit ku jetojnë.