SOT

Nxënësit mësojnë nëpërmjet aktiviteteve

Korridoret e shkollës fillore “Nazim Gafurri” janë të mbushura me punimet e nxënësve.

Aktivitetet kreative, ku nxënësit marrin pjesë janë të shpeshta. Me anë të tyre ata mësojnë për tema nga shumë lëndë.

Projekti i fundit që ata përfunduan ka të bëjë me ripërdorimin e gjësendeve e materialeve të riciklueshme.

Kur janë pjesë e këtyre aktiviteteve, nxënësit thonë që i mësojnë më lehtë se vetëm po t’i lexonin në libra.

Përpos temave që janë pjesë e plan-programit, edhe ato sociale e ato ku duhet ngritur vetëdijesim i mbulojnë muret e shkollës së tyre.

Nxënësit e shfrytëzojnë çdoherë mundësinë e përfshirjes në këto projekte, sepse ndër të tjera e bëjnë edhe më relaksues procesin mësimor.

Shumicën e këtyre aktiviteteve nxënësit e shkollës “Nazim Gafurri” i kryejnë nën mbikëqyrjen e arsimtarit të lëndës së Artit Figurativ, Burim Canolli.

Ai thotë se qëllimi është që nxënësit të jenë më aktivë, e t’i mësojnë më lehtë gjërat.

Krahas këtyre, për secilën festë kombëtare e shtetërore ata punojnë nga murale në muret e shkollës.