SOT

Portretet me teknika të veçanta nga Hysni Mehmeti

Portretet janë përshkrueset më të mirë të artit të tij.

Artisti Hysni Mehmeti prej vitesh jeton jashtë vendlindjes, por lidhjen me Kosovën e përshkruan si tejet të veçantë.

Figurat e shquara shqiptare e të huaja janë përzgjedhja më e shpeshtë për t’ua realizuar portretin.

“Kam emigruar qysh herët në Gjermani dhe si çdo emigrant jemi ballafaquar me probleme të ndryshme, por synimi im ka qenë ta ndihmoj familjen e të jem aktiv, andaj vitet e fundit kam filluar të merrem me art”, shprehet piktori Hysni Mehmeti.

E kujton portretin e parë që e kishte realizuar, të cilin edhe sot e ruan në shtëpinë e tij në Gjermani, vendin ku jeton.

“Portretin e parë që e kam bërë, është ai i Isa Boletinit. E zgjodha këtë figurë sepse gjatë shkollimit kemi mësuar për Isën, por edhe nga filmi ‘Nëntori i Dytë’ personazhi i tij më pati pëlqyer shumë, e kam adhuruar”, thekson Mehmeti.

Sipas Mehmetit, portreti është pjesë komplekse për t’u punuar për shkak të detajeve.

“Disa artistë mendojnë që portreti është faza fillestare, por unë e mendoj të kundërtën. Portretit duhet t’ia gjesh karakterin dhe ajo lloj sfide mua më tërheq vazhdimisht”, shton piktori.

Me realizimin e një pjese punimesh që ka realizuar deri tani, përveç shprehjes artistike, thotë të ketë përçuar shpesh edhe mesazhe të akterëve politikë.

“Nganjëherë e godas politikën, nganjëherë e përzgjedh një portret përmes të cilës e përkëdheli politikën. Gjithmonë e përcjellë me një kritikë në mënyrë që publiku të zgjohet”, thotë ai.

Janë dy teknika të cilat artisti Mehmeti i përdor më tepër.

Në planet e tij të afërta mbetet realizimi i një ekspozite me të gjitha punimet të cilat thotë se do t’i shesë për bamirësi.