SOT

Klubi futbollistik që i bëri pjesë edhe fëmijët e SOS Fshatrave

Është themeluar që nga viti 1995, e funksionin si klub nuk e ka ndërprerë asnjëherë.

Ky është klubi futbollistik “Rilindja”.

Tri herë në javë në fushën e këtij klubi ushtrojnë të rinjtë e moshave të ndryshme.

Në mesin e këtyre të fundit, U13 dhe U17, dalin të jenë shumë premtuese për kah talentët që kanë.

“Unë jam Kron Gashi. Ushtroj në klubin futbollistik “Rilindja”. Përvoja ime këtu vazhdon të jetë shumë e mirë, madje kam marrë pjesë edhe në prova në Dinamon e Zagrebit, atje ku kam fituar një eksperiencë mjaft të mirë”, shprehet njëri nga lojtarët e klubit.

Klubi “Rilindja” ka kohë prej se ka ndërmarrë edhe një iniciativë për integrimin në klub të fëmijëve të sos fshatrave pa pagesë.

“Çdo fëmijë nga sos fshatrat që dëshiron të vijnë, janë të mirëpritur në klub dhe do t’i integrojmë ata pa pagesë. Deri tash prej tyre ne kemi katër, por janë grupmosha më të vogla të cilët vijnë gjithmonë me kujdestarët dhe janë socializuar këtu”, thotë drejtori sportiv, Fehmi Fejza.

I kënaqur me përvojën 1-vjeçare shprehet të jetë edhe 14-vjeçari Anil Durmishi, i cili veç tjerash, e veçon raportin me fëmijët nga sos fshatrat.

“Të bëhesh futbollist e di që nuk është e lehtë, sepse duhet dedikim e trajnim i vazhdueshëm, por synimi im të kyçem në një klub të divizionit të parë. Ndërsa ideja që të ushtrojnë edhe fëmijët nga sos fshatrat është shumë e mirë, sepse ata mund të luajnë këtu, por edhe të shoqërohen me ne”, shton Anili.

Dhjetë fitore radhazi me një nga ekipet e “Rilindjes” i veçon një nga trajnerët ndihmues në arritjen e rezultateve.

Se sukseset e përcollën ndër vite këtë klub, e dëshmojnë edhe kupat e fituara kudo në paraqitje brenda e jashtë vendit.

Që të gjitha i kanë ekspozuar në një dhomë të veçantë afër arenës së tyre sportive.