SOT

Valbona, artistja e artit me pika

Dallon nga llojet e tjera të artit për kah mënyra e realizimit. 

Është ky “Arti me pika”, të cilin ka shtatë vjet që e praktikon Valbona Dërdovski. 

Në njërën prej dhomave të shtëpisë, Valbona ua ka bërë vendin punimeve e materialeve që i përdor për t’i realizuar ato.

“Ky art e ka origjinën prej aborigjenëve, por unë e kam quajtur art me pika. E kam parë një punim para 6-7 vjetësh nga një artiste australiane prej të cilës e pata analizuar mirë punën me këtë art”, thekson Valbona.  

Një punë të tillë artistike ajo kishte dëshirë ta përhapte edhe në Kosovë. 

Me ta mësuar procesin e punës, artistja i publikonte në rrjete sociale punimet prej ku i kërkonin që të niste mbajtjen e kurseve rreth artit me pika.

“Arti me pika ishte diçka e re për Kosovën, andaj kisha shumë kërkesa për shitje. Më pas kisha edhe ekspozita shitëse. Më vonë fillova me kurse, fillimisht në Prishtinë e pastaj edhe në qytete tjera, duke e mbuluar gati të gjithë Kosovën”, shprehet artistja.  

Duke qenë art përplot detaje, puna me të kërkon kohë dhe përkushtim.
Ajo e veçon njërin nga punimet që i kërkoi kohë e mund të shtuar deri në finalizim. 

“Piktura e madhe që e kam realizuar më ka marrë më së shumti kohë, përafërsisht 6-7 muaj. Jam tejet detajiste, aq sa e shikoj shumë simetrinë. E kjo pikturë më dhimbset edhe ta shesë, sepse jo gjithherë çmimi mund të krahasohet me mundin”, thotë Valbona Dërdovski.

Krijimet artistike me pika Valbonës i kanë ndihmuar ta zhvillojë edhe më tepër kreativitetin, duke tentuar gjithnjë të bëjë punime me materiale të tjera.