SOT

Sporti i të gjitha moshave

Descriptive Text

Dikur luhej nëpër podrumet e kafeneve të stërmbushura. Ndërsa sot, është njëri prej sporteve që ka shënuar ngritjen më të shpejtë e interesimin më të madh për t’u luajtur nga një numër i madh lojtarësh kosovarë.

Kjo lojë tashmë ka edhe federatën e vet me gjashtë ekipe që garojnë në kampionatin vendor, duke thyer barrierat e paragjykimit si sport joserioz.

“Momentalisht janë gjashtë klube të regjistruara në Federatën e Bilardos, rajonet janë Prizreni, Mitrovica, Gjakova, Ferizaj dhe dy klube të Prishtinës. Janë edhe tri klube të tjera që presin dokumentacionin. Minimumi për anëtar në një klub është 10 e maksimumi sa ma shumë aq më mirë. Kam kënaqësi të madhe që them se ka filluar si sport të ketë interesim të madh e jemi në proces edhe të certifikimit të trajnerëve për të marrë pjesë edhe në gara ndërkombëtare”, thotë Veton Dyla, kryetar i Federatës së Bilardos.

Këtë sport edhe më atraktiv e bëjnë disiplinat në të cilat mund të zhvillohet një ndeshje bilardoje, thotë Dyla.

“Kampionati i Federatës mbahet prej 8 deri në 10 gara në vit, janë tri disiplina kryesore në të cilat mbahet, të cilat quhen disiplina 8-she me pesëmbëdhjetë topa, 9-she me nëntë topa dhe disiplina 10-she me dhjetë topa. Secila i ka rregullat e veta të përcaktuara nga Kampionati Botëror. Por, ekziston edhe një disiplinë që quhet 14+1 e që përdoret shumë më pak, është lojë që di me zgjat më tepër, por nuk ik shumë nga baza e lojës, vetëm rregullat pak dallojnë”, shpjegon ai.

E para se të luhen krejt këto disiplina, në tavolinën e gjelbër kryesore është posedimi dhe përdorimi i shtegut të lojës.

‘’Nëse luan vetëm për hobi mund të luash veç me një shtagë, mirëpo për të marrë pjesë nëpër gara varet prej mënyrë së gjuajtjes, pra, ekzistojnë tri lloje të shtagave. Është shtaga që shërben vetëm për me i shpërnda topat, në atë moment që shpërndahen topat kjo shtagë kthehet në vend të vetin. Vazhdon lojën pastaj me shtegun normal, por nëse të vjen një moment në lojë kur nuk e sheh topin dhe dëshiron me kërcy, atëherë është shtegu i cili shërben për atë. Është një teknikë e veçantë që përdoret për ta kapërcyer topin që të pengon ty...’’

I njohur ndryshe edhe si sporti që luhet në centimetra, biliardi kërkon precizitet në vendosjen e trupit dhe matjen e këndit të gjuajtjes, që sipas Dylës, është lehtë për t’u mësuar nga të gjitha moshat.

Për anëtarët e ekipeve të këtij sporti është mbresëlënës interesimi që është shtuar për këtë sport viteve të fundit, sidomos nga fëmijët.

Në fund të muajit janar, Kosova do të përfaqësohet nga një lojtar në turneun botëror në Texas të Amerikës, si dhe në një turne tjetër evropian që shënon garën e 4-të rresht të Kosovës në turne të përmasave të tilla.