SOT

Yoga, disiplinë për të nisur ditën të gjitha moshat

Instruktorja e yogas, Dodona Gashi, i ka prezantuar disa lëvizje të lehta të yogës, me të cilat mund ta filloni ditën. Për ata që nuk e kanë praktikuar atë asnjëherë, yoga do të thotë union, bashkim midis trupit, mendjes dhe shpirtit. Ka raste kur ajo ngatërrohet me sport, por Yoga është një disiplinë e përbërë prej frymëmarrjes, ushtrimeve fizike, meditimit dhe disa pjesëve të tjera.

Sipas Gashit për ta praktikuar Yogan, ajo që ju duhet është vetëm vullneti dhe dëshira për të ndarë kohë për veten. Zakonisht një seancë e Yogës fillon me frymëmarrje. Frymëmarrja në këtë aktivitet merret me diafragmë.

“Ekzistojnë shumë modifikime e variacione që tregojnë se Yoga përshtatet prej moshës 3 deri në 80-vjeçare. Unë kam pas klientë të të dy këtyre moshave. Madje, tash edhe në kopshte fëmijët kanë filluar me e praktiku Yogan, kështu që është shumë mirë me i pa ata teksa tentojnë të meditojnë. Gjithashtu, nëse ke probleme shëndetësore, ekzistojnë variacione që mundësojnë përshtatjen për çdo trup, pasi secili trup dallon prej tjetrit dhe i kanë nevojat e ndryshme. Edhe mosha e shtyrë mund ta praktikojë në pozitë të ulur në karrige. Pra, nuk ka asnjë kategori që nuk mund ta praktikojë Yogën”.