SOT

Kartolina e fundvitit të pazëvendësueshme nga interneti

Jodomosdoshmërisht dhuratat duhet të kenë kosto të lartë.

Mënyra më e thjeshtë dhe modeste për ta bërë një të tillë është dërgimi i kartolinave.

Rëndësia e tyre më shumë rritet në kohë festash e sidomos në ato të fundvitit.

Mirëpo, dikur shkëmbimi i kartolinave ishte shumë më prezent, por që tani me zhvillimin e teknologjisë përdorimi i tyre është më i zbehur.

Arbina Gecaj më parë kishte koleksionuar kartolina të ardhura nga një i afërm i saj në Kroaci, e pëlqimi që kishte për to e shtyu atë tashmë t’i punojë vetë ato, të cilat të gjitha janë punëdore, e secila më e veçantë se tjetra.

“Jemi mësu me marrë shumë kartolina gjithmonë, axha nga Zagrebi na ka sjellë dhe ne kemi koleksionu. Këtë traditë jam mundu me përcjell tek nipat dhe mbesat tona. Në vitin 2012 në tregun kosovarë kartolinat mungonin dhe motra më sugjeroi t’i punoj vetë ato”,

tregon Gecaj

Ajo thotë se pasardhësit e familjes së saj po vazhdojnë ta bëjnë të njëjtën gjë sikur kishte bërë dikur edhe vetë Gecaj.

“Nipat dhe mbesat po ashtu janë duke koleksionuar kartolina, ndjenja kur vjen postieri dhe u thirret emri atyre është shumë e veçantë. Ka interesim për to, e sidomos në këto kohë festash sepse kartolinat shkëmbehen fatmirësisht vetëm për gëzime”, thotë ajo.

Ajo mundohet që secila nga kartolinat të ketë të veçantën e saj, e për ta finalizuar një të ngjashme asaj i duhet më pak se një orë kohë.

“Nuk merr shumë kohë nëse ndajmë pak minuta për një shënim në kartolinë, sepse përmes kësaj e dimë që për dikë ke vlerë të madhe”, thotë Gecaj.

Kartolina të shumta nga vende të ndryshme të botës kanë kaluar edhe përmes duarve të postierit Ragip Demolli.

“Kjo është përditshmëria jonë, çdo ditë vijmë në punë, marrim dërgesa postare dhe i shpërndajmë, ndër to ka edhe kartolina. Në këtë ditë ka kartolina nga Zvicra, nga Britania e Madhe dhe një nga Amerika”, tregon Demolli.

Demolli thotë se kartolinat nuk po shkëmbehen si më parë, mirëpo ende i ruan me shumë nostalgji kujtimet kur dikujt i ishte dërguar një kartolinë nga larg, që e kishte bërë të nxirrte lot.

“Kartolina më shumë ka pasur menjëherë pas luftës, por kur filloi përdorimi i internetit dërgesat e kartolinave kanë rënë dukshëm. Më kujtohet një rast kur ia dërgova dikujt një kartolinë nga dikush që nuk e kishte ditur asgjë për të që 5 vite se ku është, e në momentin kur e pa kartolinën ai u emocionua, e kur e pash atë reagim edhe unë u emocionova shumë”, shton Demolli.