SOT

Agronomja që mbylli barnatoren për t’i kultivuar vetë kulturat bujqësore

Se gratë kosovare mund të udhëheqin biznese të ndryshme, tashmë veçse është dëshmuar. Ashtu po vepron edhe fermerja 30-vjeçare, Blerina Rexhepi, nga fshati Zabel i Epërm i Komunës së Drenasit.

Ky është viti i parë që po kultivon kulturat bujqësore të klimës së freskët brenda një serre të cilën e përfitoi nga Ministria e Bujqësisë.

“Në vitin 2015 kemi filluar të merremi me kultivimin e mjedrës, pastaj vazhduam me kulturat e tjera në fushë, si shalqiri, misër, grurë, patate, speca. Më pas aplikuam në Ministrinë e Bujqësisë për grante në sera, nuk e besuam që do ta fitonim, por fatmirësisht i plotësuam kriteret. Tani jemi përfitues të seres me një sipërfaqe prej 30 ari, 10 ari janë me nxehje që e shfrytëzojmë për perimet që do të dalin në treg më herët”, thotë ajo.

Duke qenë agronome me profesion, ajo thotë se vëmendje të madhe i kushton secilës fazë të zhvillimit të bimës, në mënyrë që produktet e saj të jenë imune ndaj sëmundjeve dhe të mos kenë nevojë për preparate e plehra të ndryshme.

Blerina më parë kishte pasur një barnatore bujqësore, por që nuk u mjaftua vetëm me këshillat që u jepte fermerëve, ajo mbylli atë biznes dhe vendosi vetë t’i kultivonte këto bimë.

“Para se me u marr me serë, unë kam pasur një barnatore bujqësore ku kam këshilluar fermerët për përdorimin e pesticideve dhe plehrave. Kam bërë vizita në terren te fermerët, të cilët kanë sera dhe kultivojnë kultura në fushë të hapura dhe aty më lindi ideja me pas një serë vetë dhe me u kujdes për bimën ashtu siç doja unë”, tregon Blerina.

Përkushtimi i saj reflekton në zhvillimin e tyre, e shpeshherë rastis të komunikojë me to.

“Për shkak se kam profesion bujqësinë si agronome, kam dashuri të madhe për bimët, kujdesin e kam më të veçantë, shpeshherë edhe punëtorët më kanë thënë “Blerinë si ka mundësi se shpesh herë po të dëgjojmë duke folur me to”, mirëpo është pasioni dhe dashuria ime që më bënë me komuniku me to, e punoj me shumë dashuri këtë punë dhe kujdesem që konsumatorët t’i kenë produktet sa më të sigurta”, rrëfen ajo.

Për momentin, kushtet klimatike në vend përshtaten me kultivimin e disa prej kulturave, të cilat sipas agronomes njihen edhe si para-kultura dhe pas-kultura.

“Marulja është bimë që përdoret si para-kulturë dhe pas-kulturë, nëse kemi pasur një kulturë kryesore, si domatja e kultivuar në verë, atëherë në sezonin e dytë e mbjellim sallatën si kulturë të dytë që na mundëson një qarkullim bimor në atë sipërfaqe të tokës në mënyrë që të mos ta kemi gjithnjë të njëjtën kulturë të mbjellë”, shton ajo.

Edhe pse ky ishte viti i saj i parë me një serë të tillë, rendimenti i parë dhe cilësia e tyre i ka ndihmuar shumë në gjetjen e tregut.

Ajo tregon se një numër i madh i konsumatorëve ka pasur raste që kanë bërë vetë vjeljen e tyre.

“Pasi që jemi në vitin e parë të prodhimit, kemi pasur edhe vështirësitë tona në treg, por shpejt e kemi gjetur tregun për shkak të sigurisë së produkteve tona në konsum, madje ka ndodhur që kanë ardhur nga vende të largëta dhe kanë kërkuar që vetë me e bë vjeljen e tyre. Kemi disa pika në regjion tonë dhe në Prishtinë ku bëjmë furnizimin me produkte”, thotë Blerina.

Blerina ndryshe njihet si një nga fermeret shembull që ka Komuna e Drenasit.