SOT

Suksesi i një asistenti te fëmijët me nevoja të veçanta

Pedagogjia e përgjithshme është dega që e studioi.

Por tash e një vit energjinë e tij në punë Diamant Mazrekaj po e jep në asistim të fëmijëve me vështirësi në shkollim.

Si asistent në shkollën “Sylë Alaj”, në Drenoc të Deçanit, ai ndihmon një 13-vjeçare në mësime, raporton KOHA.

Thotë se tashmë është i lidhur me nxënësen, e cila që nga mosha 5-vjeçare pati ngecje në zhvillim.

Për shkak të kësaj ajo shkollimin nuk e vazhdon me moshatarët e saj, por është kthyer në klasë të katërt.

Angazhimi dhe ndihma e asistentit kanë bërë që nxënësja të ketë 1 vit të suksesshëm.

Jo të lehtë e cilëson punën që bën për shkak të përgjegjësisë që mban. E në këtë periudhë, si pasojë e infektimit të personelit arsimor me Covid-19, Diamantit i është dashur të zëvendësonte edhe ata për ta mësuar të gjithë klasën.

Fat të njëjtë me shumicën e asistentëve në Kosovë kishte pasur edhe Diamanti. Atij i ishte ndërprerë puna, por që pas ankesave dhe kërkesave të prindërve ai u kthye sërish.

Paragjykimet për personat me nevoja të veçanta, sipas Diamantit, janë zbehur dukshëm derisa thotë se duhet ende punë.

Prezenca e Diamantit në shkollë ka pasur ndikim pozitiv edhe në fëmijët e tjerë, sidomos kur ka mungesë të psikologut, thotë drejtori i shkollës Zeqir Nitaj.

Që nga 1 janari i vitit 2019, me një udhëzim të Ministrisë së Arsimit, në tërë komunat e vendit lejohen të punësohen 100 asistentë. Derisa disa komuna, sikurse ajo e Prishtinës, ende nuk e kanë zbatuar këtë udhëzim, ajo e Deçanit tashmë paguan asistentin për fëmijë me nevoja të veçanta.

Udhëzimi ka ardhur pas refuzimit të Kuvendit të Kosovës që të miratojë amendamentin për punësim të asistentëve në shkolla.