SOT

Fotografi më i vjetër i Vushtrrisë që ka koleksionuar shkrepje të bëra ndër vite

Janë rreth 80-vjet që merret me pasionin e njëjtë.

Në qendër të qytetit të Vushtrrisë, në një objekt të vogël, aty mund të gjeni fotografin më të vjetër të këtij qyteti, Nesim Ispahiun.

Qëkur ishte vetëm 5-vjecar, Nesimi mësoi të shkrepte fotografi, e që tashmë këtë e ka shndërruar në profesion, raporton KOHA.

Ai i përket gjeneratës së 4-të të kësaj familjeje që po e vazhdon veprimtarinë e njëjtë.

Nesimi flet edhe për privilegjin e fotografit. Thotë se dikur të posedoje një aparat fotografik ka qenë luks.

Ai një pjesë të madhe të fotografive e edhe të aparateve që i ka përdorur, vazhdon t’i ruajë në sirtarin e tij.

Lokali i tij në qendër është një mini-muze ku shumë qytetarë vijnë e interesohen për historinë e tyre.

Në ditët e sotme, shkrepja e një fotografie është bërë më e lehtë, thotë Nesimi, i cili i detyruar nga koha e evoluimit të teknologjisë, ka mësuar punën me aparatet digjitale.

Shumë nga qytetarët e Vushtrrisë shprehin respekt për fotografin më të vjetër në këtë komunë.

Sipas Bajram Shallcit, Nesimi është ikona e Vushtrrisë, për të cilin krenohen të gjithë.

Bajrami dhe bashkëqytetarët e tjerë, Nesimin e njohin edhe për vargje poezie.