Shtojca për Kulturë

“DokuTalks”, përvojat e kineastëve pas shfaqjes së filmit

Descriptive Text

Të shtunën është zhvilluar diskutimi i parë i “DokuTalks”, me temën “Post Partum: çfarë ndodh me regjisorin dhe pjesëmarrësit pas publikimit të filmit”. Kjo është një nga pyetjet më të zakonshëm që u bëhet kineastëve. Ndonjëherë kjo merr përgjigjen e lumtur dhe disa herë jo

Programi “DokuTalks” ka filluar me zbërthim të përgjigjes se “Çfarë ndodh me regjisorin dhe pjesëmarrësit pas publikimit të filmit?”. Kanë qenë regjisorë nga vendi e ata ndërkombëtarë që kanë diskutuar për përvojat e tyre me artistët.

Hapësira pranë qendrës për kulturë dhe art “Shani Efendi” është kthyer në podium për biseda e diskutime. Aty do të mbahen të gjithë bisedat e “DokuTalks”. Flamujt dhe tendat me mbishkrimet e programit e të temave janë paralajmërim për diskutimet që zhvillohen çdo ditë të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Versioni i diskutimeve në fakt është paraparë të jetë më relaksues. Folësit shtjellojnë eksperiencat e tyre në tema të ndryshme, të ilustruara edhe me shembuj.

Regjisorja kosovare Dea Gjinovci ka folur për filmin e saj “Wake up on Mars”, kolegia e saj sllove Marija Zidar për filmin “Reconciliation” e Samir Karahoda, në cilësinë e regjisorit, për filmat “In between” dhe “Displaced”. Aty ka qenë edhe regjisori maqedonas Ljubomir Stefanov për filmin me regji të tij, “Honeyland”, i cili qe nominuar nga “Academy Film Awards” në edicionin e 92-të për kategorinë “Best Documentary Feature” dhe “Best International Feature Film”. Jashtë temës ka vlerësuar se në Evropë kinematografia nuk është industri e filmit. Ka folur edhe për eksperiencat e në realizimin e filmit. Stefanov është shprehur se përvojat nuk i ka pasur aq të mira, pasi shfaqja e filmit në të shumtën e rasteve varet nga financat. “Kuptohet se ndajmë shumë më pak me pjesëmarrësit dhe më shumë për protagonistët. Mënyra sesi e ndajmë buxhetin ka të bëjë me marrëdhëniet personale. Ato sot mund të karakterizohen me tri thirrje telefonike”, ka thënë ai, derisa ka dhënë edhe një skemë për ndarjen e financave në departamente të ndryshme që realizojnë një film.

Regjisorja Dea Gjinovci ka treguar për përvojat e saj pasi është takuar me vajzat protagoniste në filmin me regji të saj, “Wake Up on Mars”. “Filmi im ka të bëjë me dy vajza që ishin në komë, njëra për tri vjet e gjysmë, tjetra për një vit. Unë i kam parë ato më pas dhe reagimi i tyre ka qenë shumë i mirë. Është ndjesi e mirë të takosh dikë me të cilin ke pasur përvoja të mira më parë”, ka thënë ajo.

Ndërsa regjisorja sllovene e filmit “Reconciliation” ka vlerësuar se biseda është shumë e rëndësishme dhe se ka vlerësuar organizimin e “DokuTalks”. Filmi i saj është shfaqur në edicionin e kaluar në Festival. Ajo e sheh si konflikt personal punën me personazhet e filmit. “Për mua është konflikt personal të punoj me protagonistë të filmit, përgjegjësi në termet se çfarë lloj filmi do të jetë. Unë jam ende në kontakt me ta, por nuk jam e sigurt nëse do ta gjej mundësinë e njëjtë në muajt e ardhshëm”, është shprehur Marija Zidar.

Në diskutimin e moderuar nga Aliriza Arënliu, është folur për qasjen dhe lidhjen që ndërtohet dhe nuk mbaron vetëm me një film. Edhe Samir Karahoda ka ndarë kujtime me takimet e protagonistëve të filmit të tij “Pa vend”, i dhënë premierë botërore në Festivalin e Filmit në Cannes.

“Pas premierës në ‘Cannes’ u takuam me protagonistët. Hera e fundit është vetëm dy net më parë dhe ata ende jetojnë me eksperiencat që kanë pasur. E them në një mënyrë të mirë. Filmat e mi janë të shkurtër dhe nuk mund të flasim për ta për biznes. Një nga karakteret tani ka një sëmundje serioze dhe ne mundohemi ta mbështesim sa më shumë që mundemi, të gjithë ne nga ekipi”, ka thënë regjisori i filmit, i cili sjell historinë e klubit të pingpongut të qytetit të tij, në Prizren, për të cilin ende nuk ka vend.

“DokuTalks” të dielën shtjellon temën “Landscapes of Repair and Resistance”, që është pjesë e veçantë në kuadër të programit të “Manifesta 14” në kuadër të “DokuFest”.