Shtojca për Kulturë

Thirrjet e Rexhep Qosjes për rikthim drejt vlerave etike

Rexhep Qosja thërret me zë për rikthim drejt vlerave etike. Ai e orienton thirrjen e tij sidomos ndaj veprimtarëve, intelektualëve dhe qytetarëve. Dhe këtë gjë e bën në një mënyrë tepër të rrallë: “Në Greqinë e lashtë, në kohën e Homerit, rreth zjarrit të ndezur në nderim të heroit të rënë në luftë ecnin shokët, miqtë dhe adhuruesit e tij, duke hedhur në zjarr të gjitha ato që i donin më së shumti: kush kalin, kush robin e kush vetveten...”

Akuzave se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do ta krijonte Shqipërinë e Madhe, Rexhep Qosja i përgjigjet me një argument të fortë polemik e logjik: “Rusia me mbi 17 milionë e 75 400 km2 dhe me rreth 150 milionë banorë nuk quhet Rusi e Madhe; as Gjermania e bashkuar me 357 mijë km2 dhe me rreth 80 milionë banorë nuk quhet Gjermani e Madhe, as Kina me 9 milionë e 551 mijë km2 dhe me rreth 1 miliard e 200 milionë njerëz nuk quhet Kinë e Madhe, ndërsa Shqipëria e Bashkuar, e përbërë prej Shqipërisë së sotme dhe prej tokave shqiptare në ish-Jugosllavi, që kanë vazhdimësi gjeografike me të dhe në të cilat shqiptarët janë popullatë e vetme apo shumicë e madhe, që do të kishte gjithsej 55 mijë km2 dhe rreth 7 milionë banorë do të quhej Shqipëri e Madhe! Jo. Shqipëria e bashkuar, e përbërë prej dy gjysmave të popullit të ndarë shqiptarë, nuk mund të quhet Shqipëri e Madhe: ajo do të ishte Shqipëria natyrore.”

Qosja është i qartë në dallimin në mes të identitetit shtetëror dhe atij kombëtar. Identiteti kombëtar kosovar, i tillë siç propagandohet si identitet i ri, i ngjan shumë idesë për identitetin kombëtar jugosllav ose identitetin kombëtar sovjetik. Bazë e një logjike të tillë është sentenca se shteti përcakton identitetin kombëtar, përkatësisht se shteti e krijon kombin dhe jo kombi shtetin. Natyrisht që në këtë rast kemi të bëjmë me një ngatërrim të identitetit shtetëror me identitetin kombëtar. Sipas Qosjes, qëllimi i krijuesve të kësaj ideje është krijimi i një ideologjie “kundër konceptit një popull, një kulturë, një gjuhë letrare, një komb”. Ai e quan këtë një “ideologji kundërhistorike, me të cilën do të mposhtej përgjithmonë ideja që e ka lëvizur historinë e popullit shqiptar prej Lidhjes së Prizrenit e këndej: ideja e bashkimit kombëtar”.

Njësoj si Kohli, edhe Qosja zgjidhjen e tij e bazon në të drejtën e shqiptarëve për vetëvendosje. Dhe, Rexhep Qosja i ka mbetur besnik pikëpamjes së tij deri në fund. E përsëriti këtë gjë edhe në fjalën e tij në Akademinë kushtuar 85-vjetorit të lindjes së tij, më 25 qershor 2021, në Prishtinë: “Sot ne jemi komb me dy shtete që pashmangshëm do të bashkohen një ditë. Atë ditë mund të mos ta dimë sot, por e dimë sigurt se do të bashkohen një ditë jo edhe shumë të largët.”

Praktika politike

Si shumica e intelektualëve në Kosovë, edhe Rexhep Qosja ka qenë i angazhuar politikisht. Por, ai nuk ka pasur asnjë rol drejtues partiak gjatë sundimit të sistemit njëpartiak të Lidhjes Komuniste të Kosovës, përkatësisht Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë. Në kuadër të procesit të diferencimit ideopolitik, atij i jepet vërejtje partiake për shkak të mosdënimit të demonstratave studentore të vitit 1981.

Pas gjysmës së viteve 1980, Rexhep Qosja shndërrohet në një lloj institucioni më vete politik: simpatizohet deri në adhurim nga të rinjtë veprimtarë të idesë së Republikës së Kosovës dhe urrehet deri në kërcënim nga aktivistët e Lidhjes Komuniste të Kosovës. I reduktohet publikimi dhe stigmatizohet politikisht vepra e tij letrare.

Më 30 maj 1989, Rexhep Qosja mban takim me delegacionin e Parlamentit Evropian. Takimi zhvillohet në dhomë të hotelit. Atë ditë Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës organizoi demonstrata në Llap dhe Prishtinë. Në Llap u vra Ali Ajeti gjatë përleshjes me Policinë. Qosja argumenton fuqishëm kundër dhunës që ushtrohet ndaj demonstruesve dhe kundër sistemit të shtypjes që sundonte në Kosovë. Si rezultat, Parlamenti Evropian përmes një rezolute e dënoi dhunën kundër shqiptarëve në Kosovë.

Gjatë vitit 1998, Qosja, më në fund, vendos të angazhohet politikisht, duke marrë drejtimin e Lëvizjes së Bashkuar Demokratike. Si kryetar partie merr pjesë në Konferencën e Rambujesë. Ai insiston që në Rambuje të mos shkohet pa përfaqësuesit e UÇK-së. Ishte i bindur se ushtarët e UÇK-së e kanë sjellë Kosovën në Rambuje: “Kosova ishte në gjunjë dhe ata e ngritën në këmbë. Ne ishim të përkulur, tepër të përkuluar, e ata na drejtuan. Ne shikonim përtokë, e ata na e kthyen nderin dhe dinjitetin. Ne ishim objekt në politikë, e ata, me vetëflijimet e tyre, me luftën e tyre, na bënë subjekt.” Ai luan rol parësor në përafrimin e delegacionit të Kosovës dhe në mandatimin drejtues të delegacionit. Ai ndikon që të ketë sjellje racionale dhe politikisht korrekte.

Nga Rambuj, Qosja na ka sjellë një material me vlerë për diplomacinë dhe artin e negocimit përmes shënimeve të tij të mbajtura gjatë Konferencës së Rambujesë, të botuar në formë libri me titullin “Paqja e përgjakshme.” Në këtë ditar ai mban shënime për takimet, bisedimet dhe përjetimet e tij gjatë Konferencës së Rambujesë. Ai mbron pikëpamjen se marrëveshja e nënshkruar prej tij dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit të Kosovës në Rambuje ka pasur rol të dyfishtë, historik dhe tragjik, njëkohësisht: ajo është marrëveshje që e ka çelur derën e lirisë, por e ka çelur edhe derën e tragjedisë. Dhe: “Paqja që do të sjellë ajo Marrëveshje paqësore do të jetë paqe e përgjakshme.”

Me udhëheqësit e procesit negociator argumenton bindshëm dhe racionalisht. Ai insiston në të drejtën për vetëvendosje përmes referendumit: “Referendumi është institucion demokratik, i krijuar në filozofinë politike të Perëndimit për zgjidhjen e çështjeve, siç është e jona. Argumentet teorike dhe praktike e mbështesin të drejtën tonë për referendum.”

Përgjatë zhvillimit të Konferencës së Rambujesë, përsiatjet filozofike, politike dhe etike të Qosjes janë tepër racionale, në një kohë irracionale. Ai shkruan se në Rambuje kanë shkuar të sjellin paqe për Kosovën, por jo paqe pa liri. Në këtë kontekst, më 11 shkurt 1999, i deklaron ministrit të Jashtëm britanik Robin Cook: “Ne kemi ardhur këtu me dëshirën dhe me shpresën që Kosovës t’ia çojmë paqen. Paqja i duhet Kosovës më shumë se çdo gjë tjetër. Por, çfarë paqeje? Që të jetë e qëndruar, e përhershme, paqja duhet të jetë e drejtë. Kosovës i duhet, pra, paqe e drejtë.”

Për demonstratat e vitit 1981

Qosja bën pjesë në mesin e intelektualëve në Kosovë që nuk i kanë dënuar demonstratat e vitit 1981. Për këtë ai i nënshtrohet një presioni të madh politik përgjatë procesit të diferencimit ideopolitik që udhëhiqej nga Lidhja Komuniste e Kosovës. Qosja zgjedh heshtjen si mënyrë të reagimit të tij ndaj trysnisë së Lidhjes së Komunistëve. Ai mbrohet me heshtje. Dhe, heshtja e tij flet. Vite më vonë ai shkruan: “Ekzistojnë filozofia dhe estetika e fjalës së shkruar dhe e fjalës së folur, por ekzistojnë edhe filozofia dhe estetika e fjalës së heshtur dhe e mendimit të heshtur.”

Në gjysmën e dytë të viteve 1980, profesor Qosja shkruan se udhëheqjet politike të pas vitit 1981 kanë rënë në provimin politik historik. Ata i kanë pranuar formulat kundërshqiptare, edhe pse nuk kanë besuar në to. Pra, i kanë bërë dëm popullit të tyre, për hir të karrierës së tyre. Me këtë rast ata janë gjendur të izoluar nga populli. Kanë filluar të konsiderohen si kolaboracionistë:

“Për të qenë tragjedia morale e këtyre udhëheqjeve edhe më e madhe, ata jo vetëm se ashtu janë izoluar plotësisht prej popullit, kur e kur duke u vënë edhe kundër popullit, por njëkohësisht janë përpjekur ta detyrojnë edhe popullin që të flasë e të veprojë kundër vetes. Kjo ishte vetëvrasje politike dhe morale e udhëheqjeve tona politike.”

Apostull i lirisë

Rexhep Qosja i ka kritikuar shumë të tjerët. Kjo natyrisht i ka kushtuar jo pak shqetësime në jetën e tij krijuese, politike dhe shoqërore. “Morfologjia e një fushate” paraqet vetëm fillimin e një numri të madh polemikash e kritikash të tij drejtuar personaliteteve politike, shoqërore, kulturore dhe krijuese. Por, Rexhep Qosja ka ditur edhe të veçojë personalitete të çmuara të historisë, letërsisë dhe kulturës sonë kombëtare. Një nga shkrimet me të çmuara politikologjike të tij është fjala e tij në shënimin e 60-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit. Edhe varianti më i zgjeruar i kësaj fjale, botuar në veprën e dhjetë të kompletit të veprave të Adem Demaçit në formën e pasthënies, përmban një fjali që përmbledh rolin e veprimtarisë së Adem Demaçit: “Para vetes dhe para botës ne ende nuk kemi mundësi të dalim e të mburremi as me dëshmi të zhvillimit teknik, as me dëshmi të zhvillimit ekonomik. Para vetes dhe para botës sot mund të dalim e të mburremi, para së gjithash, me qëndresën madhështore politike e morale të Adem Demaçit. E, kjo ishte vepër që lëvizte ndërgjegjen tonë dhe duke lëvizur ndërgjegjen, e lëvizte historinë.”

Adem Demaçin Qosja e portretizon si apostull të lirisë, drejtësisë shoqërore dhe pavarësisë së popullit të vet. Në kohën kur i drejton këto fjalë, më 26.02.1996, vendi vuante keq nën thundrën e pushtuesit. Jeta e Demaçit është përshkuar nga gatishmëria e tij për vetëmohim. Sipas Qosjes, në rast se Demaçi nuk do të karakterizohej me një shkallë të lartë altruizmi, ai do të ishte “një krijues i madh i letërsisë shqipe”. Pra, do të kishim një krijues të madh letrar, por nuk do të kishim një simbol kombëtar, i cili e flijoi veten për lirinë, ardhmërinë dhe dinjitetin e kombit të tij: “Letërsia shqipe do të mbesë pa një krijues të dalluar, por historia shqiptare do të fitojë një apostull të madh të lirisë”.

Qosja e përshkruan Demaçin si njeri me ideal të lartë. por edhe me iluzionin se Kosova mund të çlirohet nga Serbia. Iluzioni nuk e ul rëndësinë historike të idealit të Adem Demaçit. Duke qenë intelektual që e kupton saktë politikën dhe historinë, Demaçi sheh përtej së tashmes. Jetëshkrimi i Adem Demaçit është jetë-porosi prej së cilës inteligjenca shqiptare mund të nxjerrë mësime të vlefshme morale.

Debati me Kadarenë

Rexhep Qosja ka zhvilluar polemika të ashpra me një numër personalitetesh letrare, politike dhe publicistike. Ai mospajtimin e definon si “tharmin e demokracisë”, kurse polemikën si “kushtin e lirisë.” Sipas Qosjes, “polemika, liria dhe krijimtaria janë në raporte të ndërsjella dialektike. Prej natyrës së raporteve të tyre varet edhe fuqia e së vërtetës.” Pra, qëllimi i polemikës është të ndahet e vërteta nga gënjeshtra, e sakta nga e pasakta, e mira nga e keqja, e drejta nga e padrejta, e bukura nga e shëmtuara, përparimtarja prej prapambetjes. Polemika është nxitje e veprimit shpirtëror, e cila i vë në lëvizje imagjinatën, intuitën dhe ndjenjat e njeriut.

Një nga debatet e tij tematike dhe shumë interesante është debati me shkrimtarin tonë Ismail Kadare. Debati ka vlerë të rëndësishme sociologjike, politikologjike dhe filozofike, pasi që fokusohet në identitetin kombëtar të shqiptarëve.

Debati fillon me shkrimin e Kadaresë “Identiteti evropian i shqiptarëve.” Ky shkrim ishte një lloj replike me tezat e mbrojtura nga Qosja në shkrimin e tij “Ideologjia e shpërbërjes.” Qosja i përgjigjet Kadaresë me shkrimet e tij “Idetë raciste të Kadaresë” dhe “Realiteti i shpërfillur”. Ndryshe nga Kadareja, Rexhep Qosja mbron pikëpamjen se identiteti kombëtar shqiptar ngërthen në vete të dy qytetërimet: atë perëndimor dhe lindor. Kadareja shkruan se “një identitet i ndarë është një komb i ndarë.” Ai shfaq drojën se “përjashtimi i gjysmës ose shumicës së kombit shqiptar nga identiteti evropian do të thotë përjashtim nga Evropa. Dhe përjashtimi nga Evropa nuk është larg dëbimit nga Evropa.”

Në përgjigjet e tij Qosja tregohet mjaft i ashpër. Ai e akuzon Kadarenë se po dëshiron të mohojë identitetin mysliman të shqiptarëve, se ai e përbuz ndikimin e fesë. Fetë, sipas tij, janë “përbërës shumë i rëndësishëm i identitetit.” Ai e vë në fokus faktin se jeta e individit përshkohet nga një multidimensionalitet identitetesh, por të gjitha këto identitete të veçanta “bashkohen në atë të përgjithshmen, të tërën, që i themi identiteti kombëtar shqiptar.”

Përfundim

Rexhep Qosja thërret me zë për rikthim drejt vlerave etike. Ai e orienton thirrjen e tij, sidomos ndaj veprimtarëve, intelektualëve dhe qytetarëve. Dhe këtë gjë e bën në një mënyrë tepër të rrallë: “Në Greqinë e lashtë, në kohën e Homerit, rreth zjarrit të ndezur në nderim të heroit të rënë në luftë, ecnin shokët, miqtë dhe adhuruesit e tij, duke hedhur në zjarr të gjitha ato që i donin më së shumti: kush kalin, kush robin e kush vetveten. Nuk po kërkoj aq shumë prej shokëve e miqve të Fehmi Lladrovcit. Nuk po kërkoj aq shumë prej nesh. Mos të hedhim në zjarr asnjë nga ato që duam. Por, le të hedhim në zjarr të këqijat tona të sotme. E, kemi çka të hedhim. Korrupsionin! Krimin e organizuar! Nepotizmin! Luksin! Privilegjet e zyrtarëve!”

Veprimtari, intelektuali dhe qytetari vetëm do të duhej të aprovoj një mesazh të tillë. Për hir të së sotmes dhe sidomos të së ardhmes së kombit tonë!