Shtojca për Kulturë

Reçaku – ngjarja që e ndryshoi rrjedhën e luftës së Kosovës

Gazetarët dhe vëzhguesit arritën në vendngjarje në Reçak mëngjesin e ditës së nesërme, më 16 janar 1999. Në të gjithë fshatin, 45 trupa të pajetë u zbuluan. Vëzhguesit e Misionit Verifikues në Kosovë (MVK) i OSBE-së njoftoi se masakra në Reçak u krye më 15 janar 1999 në orët e para të pasdites...

Për bashkësinë ndërkombëtare, masakra në fshatin shqiptar të Reçakut (Shtime), në të cilin forcat policore dhe ushtarake ekzekutuan 45 civilë shqiptarë, u bë një pikë kthese vendimtare në luftën e Kosovës. Kjo masakër, e cila pas Masakrës së Prekazit dhe të Abrisë së Poshtme, e bëri të qartë se Marrëveshja e 13 tetorit 1998, e nënshkruar ndërmjet Hollbrooke dhe Milosheviqit, e cila i hapi rrugë vendosjes së Misionit Verifikues të OSBE-së, kishte dështuar dhe se në këtë mënyrë nuk mund të arrihet një stabilizim i gjendjes dhe afrimin i dy palëve, përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë. Misioni i OSBE-së ishte i pafuqishëm që të detyronte Beogradin që të përmbushte detyrimet që dilnin nga marrëveshja e lartpërmendur dhe mungonin instrumentet e nevojshme për të parandaluar shkallëzimin e ri të luftës ndërmjet njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe të policisë, ushtrisë dhe paraushtarakëve serbë. Dhuna ndaj shqiptarëve të Kosovës nuk u ndërpre, forcat ushtarake dhe policore vazhduan fushatat e tyre represive ndaj fshatrave shqiptare dhe qyteteve të Kosovës. Përdorimi i forcës ushtarake dhe kundërveprimi i njësiteve ushtarake e policore ndaj aksioneve të UÇK-së u bënë gjithnjë e më brutale. Në një situatë të ndezur kështu, ndodhi krimi i rendë në Reçak, që ishte kulmi i zhvillimeve në Kosovë në fillimvitin 1999.

Por, gjendja ishte e tensionuar që më parë. Në dhjetor të vitit 1998, në kafenenë “Panda” në Pejë, kur kryerës të panjohur, me breshëri armë automatike vranë gjashtë djelmosha serbë. Me vite për këtë krim u akuzuan shqiptarët, edhe pse nuk kishte asnjë dëshmi se në atë zone nuk kishte formacione ushtarake të shqiptarëve dhe për më tepër në strategjinë e UÇK-së asnjëherë nuk kishin qenë cak civilët serbë. Vetëm pas shumë vjetësh, gazeta serbe “Kurir”, duke iu referuar burimeve të afërta me qeverinë serbe në Beograd, me 17 janar të vitit 2014 shkroi se ekzistonin dëshmi konkrete se krimin e urdhëroi Radomir Markoviqi, shef i Sigurimit Shtetëror të Serbisë, kurse e kishte kryer komandanti i njësive speciale Milorad Ulemek - Legija. Siç i kishin pohuar edhe atëherë shqiptarët, qëllimi i aksionit të Sigurimit Shtetëror serb ishte që para syve të opinionit ndërkombëtar, UÇK-ja dhe kauza e saj të etiketohej si terroriste “dhe në këtë mënyrë të justifikoheshin aksionet e forcave serbe në territorin e Kosovës”.

Millosheviqi: “...por ne, në fund, i vramë që të gjithë!”

Në të njëjtën kohë, sipas UNHCR-it, numri i të dëbuarve shqiptarë vlerësohej afro 200 mijë, ndërsa luftimet e fillimmuajit janar detyruan edhe rreth 30 mijë veta të braktisin shtëpitë e tyre, të cilat u dëgjon dhe u shkatërruan deri në themel. Shumë njerëz kur ktheheshin në shtëpitë e tyre, gjendja e përgjithshme mbetej jashtëzakonisht kritike. Reçaku pra nuk mund të gjykohet i shkëputur nga përkeqësimi i përgjithshëm i gjendjes në Kosovë, por me këtë masakër në kohën e prezencës së vëzhguesve të OSBE-së u bë e qartë se Milosheviqi kishte për synim të realizonte planin e tij për spastrimin etnik të Kosovës dhe për ndryshimin e strukturës demografike. Madje një qëllim të tillë e kishte bërë Milosheviqi krejt hapur me bashkëbiseduesit ndërkombëtar. Siç kujton, Wesley Clark në librin e tij “Të bësh luftë moderne”, Milosheviqi kishte deklaruar se me shqiptarët mund t’i qëronin hesapet si në Drenicë me 1946, kur forcat jugosllave i kishin vrarë në mënyrë masive shqiptarët që nuk e pranonin okupimin jugosllav. “Oh, na janë nevojitur disa vjet, por ne, në fund, i vramë që të gjithë!” Ishte i vetëkënaqur, i lumtur dhe shikonte, sikur të priste aprovimin tonë”, shkruan Clark.

Situata drejt eskalimit deri te masakra

Edhe pse UÇK-ja, pas negociatave të shumta me ndërmjetësimin e vëzhguesve të OSBE-së, kishte liruar ushtarët serbë, të cilët i kishte ndaluar gjatë një aksioni në rrethinën e Mitrovicës, situata në Kosovë po shkonte eskalimit të pashmangshëm. Beogradi, pasi kishte shmangur kërcënim ushtarak të NATO-s në tetor duke ndërprerë përkohësisht aksionet ushtarake, nga fundviti 1998 dhe fillimviti 1999, filloi të intensifikonte fushatën represive ndaj popullatës shqiptare në Kosovë. Siç do të konfirmohet më vonë nga burimet ndërkombëtare, qeveria serbe kishte për qëllim realizimin e planit të koduar ushtarak ”Patkoi”, sipas të cilit parashikohej që përfundimisht në muajt vijues të ndërmerrej një aksion masiv i ushtrisë, policisë dhe paraushtarakëve serbë për spastrimin etnik në Kosovë. Siç shkruante ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, politika e Milosheviqit nga viti 1989, pothuaj deri në detaje ishte identike me doktrinën e nacionalistit radikal serb, Vasa Çubrilloviq, i cili u hartua në mars të vitit 1937 dhe sipas të cilit duhej të bëhej dëbimi i qindra mijëra shqiptarëve dhe të fillonte kolonizimi serbe i Kosovës. Sipas gjeneralit amerikan Wesley Clark, në janar dhe shkurt 1999 kishte pasur rritje sistematike të njësive në Kosovë, dhe flitej se Serbia po planifikonte një “zgjidhje përfundimtare të problemit të Kosovës”. (Dëshmia në TPNJ e gjeneralit Wesley Clark (15 dhjetor 2003), 30404-30407).

Milosheviqi me aksionet e tij ushtarake njëkohësisht synonte të testonte vendosmërinë e NATO-s dhe njëkohësisht në njërën anën negocionte, në anën tjetër, vazhdonte aksionet represive ndaj popullsisë civile. Dhe pas çdo aksioni të UÇK-së, forcat serbe të sigurisë godisnin fshatrat dhe vendbanimet shqiptare, duke i granatuar dhe djegur shtëpitë shqiptare, me qëllim që të pamundësohej vazhdimi i jetës aty. Një skenar i tillë ndodhi edhe në Shtime dhe rrethinë. Deri në janar 1999, Raçaku, i cili kishte një popullsi para konfliktit prej 2,000 banorësh, kishte rënë në rreth 400 banorë. Kjo kishte ndodhur kryesisht sepse fshati tashmë ishte granatuar verën e kaluar nga një ofensivë e qeverisë së Beogradit që kishte shkatërruar shumë shtëpi dhe shumica e popullsisë u detyrua të zëvendësohej.

Ngjarjet të cilat çuan deri te masakra e Reçakut u zhvilluan sipas skenarëve të mësipërm. Pas shkallëzimit të konfrontimit ushtarak ndërmjet UÇK-së dhe njësiteve policore serbe zunë më 8 janar 1999, ku u vranë tre policë serbë afër Suharekës, dhe të një polici tjetër më 10 janar 1999, në rrethinën e Shtimes filloi një dislokim i madh i forcave policore dhe ushtarake serbe. Ndërkohë, më 13 janar me ndërhyrjen e KVM-së, të dërguarit amerikan, ambasadorit Hill dhe të ngarkuarit të posaçëm të BE-së, Wolfgnag Petrisch, u arrit marrëveshja me përfaqësuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për lirimin e ushtarëve serbë të kapur robër në rrethinën e Mitrovicës. Pas arritjes së kësaj marrëveshjeje dhe kur në Beograd po qëndronin për bisedime autoritetet e larta ndërkombëtare, forcat serbe të sigurisë po vazhdonin reprezaljet nëpër të gjitha vendbanimet shqiptare, ndërsa në Shtime po bëhej gati të godiste Reçakun një bazë lokale e UÇK-së. Në bazë të deponimeve në Tribunalin Ndërkombëtar për Krime të Luftës në Hagë, një tog i policisë speciale dhe komandot antiterroriste të SAJ-it ishin vendosur në Shtime. Ishte e pazakontë që një numër oficerësh të lartë të vinin në stacionin policor, duke përfshirë edhe Vllastimir Gjorgjeviq, ndihmësministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MPB) dhe shef i Drejtorisë së Sigurimit Publik të MPB-së, i cili po komunikonte me telefon me zëvendëskryeministrin Nikola Shainoviq. (Prokuroria kundër Vllastimir Gjorgjeviqit, Aktgjykimi, paragrafi 339-401)

Sipas rrëfimit të dëshmitarëve, aksioni i policisë serbe ndodhi në orët e hershme të 15 janarit 1999.

“Rreth orës pesë të mëngjesit janë dëgjuar të shtënat e para...”

“Rreth orës pesë të mëngjesit janë dëgjuar të shtënat e para”, thotë plaka, e cila bashkë me rreth 20 gra të tjera është mbajtur në shtëpi nga policia, derisa meshkujt e tubuar janë nxjerrë e pastaj janë dërguar në kodër të Babushit, ku janë ekzekutuar... Mbi vendin ku janë vrarë ata, ngrihej kodra ku fillimisht janë pozicionuar forcat serbe. Fshatarët pohojnë se këto forca kanë hyrë nga ana e Carralevës, nëpërmjet fshatit Belincë, dhe në orët e të së premtes kanë filluar granatimet dhe të shtëna. Pas një kohe të shkurtër forcat serbe, të ndihmuara nga ushtria serbe, kanë hyrë në fshat, kanë filluar tubimin e fshatarëve dhe më pas ekzekutimit të tyre, rreth orës 16:00 të pasdites, janë tërhequr.” (“Koha Ditore” më 17 janar 1999). Në të njëjtën ditë për pak orë kishte pasur një shkëmbim ndërmjet forcave të UÇK-së dhe atyre të MPB-së në një kodër jashtë qytetit, ndërsa forcat ushtarake të brigadës së mekanizuar 243 me tanke dhe mjete të blinduara vazhdonin granatimin e fshatit. Nga pozicionet e caktuara rreth Reçakut i pritën të shtënat e automatikëve të UÇK-së. Konflikti zgjati disa orë dhe vetëm kur UÇK-ja u tërhoq, pjesëtarët e NJOS-it u futën në qendër të Reçakut.

Ditën e sulmit, serbët argumentuan se nuk i kishin fshehur ato synime për të kryer një operacion ushtarak dhe madje ftuan disa gazetarë dhe vëzhgues ndërkombëtarë për të parë nga kodra. Disa gazetarë të “Associated Press” dhe vëzhgues amerikanë nga Misioni i OSBE-së ishin të pranishëm gjatë zhvillimit të ngjarjeve gjatë gjithë kohës ditën, edhe pse vëzhguesit mbaheshin qëllimisht në distancë nga fshati dhe ata kishin një pamje të kufizuar.

Eliott Behar, duke iu referuar transkripteve të gjykimit në Tribunalin e Hagës, konstaton se “kur vëzhguesit e KDOM-it dhe të KVM-së u përpoqën të stacionoheshin ndërmjet forcave serbe dhe fshatarëve, forcat serbe thjeshtë kaluan mu pranë tyre. Me Praga dhe tanke T-55 e sulmuan fshatin, duke i ngujuar fshatarët e tyre.” (Eliot Behar: “Tregoji botës”, Botimet KOHA, Prishtinë, 2018, fq.192).

Më pas, sipas dëshmitarëve shqiptarë dhe vëzhguesve të OSBE-së, forcat serbe bastisën shtëpitë ku ishin strehuar civilët të paarmatosur, shumica bujq, të cilët i kishin ndarë nga gratë dhe fëmijët, dhe më pas u dërguan në kodrën e fshatit, ku u ekzekutuan. Rreth orës 15:00, fshatarët raportuan se kishin dëgjuar të shtëna nga kodra ku të nesërmen do të gjendeshin 45 trupa të civilëve shqiptarë.

Sipas dëshmitarit Nusret Shabani, në procesin gjyqësor të Tribunalit të Hagës kundër Milosheviqit, ai kishte arritur të ikte dhe të fshihej në një gropë.

Image
Shefi i Misionit të OSBE-së, William Walker, në Reçak më 16 janar 1999 (Foto: Alban Bujari)

“Nga aty dëgjoheshin britmat e tmerrshme dhe klithjet”

“Nga aty dëgjoheshin britmat e tmerrshme dhe klithjet”, tha dëshmitari, duke shtuar se më vonë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka parë civilët e vrarë, në mesin e të cilëve edhe birin e tij, Bajrushin”. (“Koha Ditore”, 6 qershor 2002). Ndërsa dëshmitari tjetër, Bilall Avdiu, nga fshati Reçak, po ashtu dëshmitar i Tribunalit të Hagës, kishte deklaruar se në një moment “ka parë se si njërit nga civilët, policët serbë ia kanë nxjerrë zemrën derisa ai ishte gjallë”.

Një kufomë ishte gjetur me kokë të prerë, ndërsa një tjetër me organe të brendshme të nxjerra jashtë trupit. Të gjithë ishin ekzekutuar nga afërsia. Të gjithë civilët e vrarë ishin burra, midis tyre tri gra, një fëmijë dhe shumë pleq, kryesisht civilë nga mosha 16 deri në 74-vjeçare.

Në një shkrim të gazetës londineze “The Times”, të datës 17 janar 1999, të titulluar “Tmerr në një kodrinë të Kosovës”, informohej se “viktimat shtriheshin të shpërndara në grykat e ngushta të një kodre pranë fshatit Reçak, në pjesën jugore të Kosovës. Plagët e tyre, testament ndaj mizorisë së vrasjes së tyre. Disa kishin pasur sytë e nxjerrë ose kokat e bëra copë-copë. Një kufomë, me kokë të këputur, qëndronte në oborrin e shtëpisë së tij. Tjetra kishte një plagë plumbi në qafë. Një tjetër nuk e kishte një vesh, të cilit, shihej qartë se i ishte prerë. Monitoruesit ndërkombëtarë numëruan 4 shqiptarë etnikë, dje, që pasohej nga incidenti më i përgjakur se ishte shpallur armëpushimi në tetorin e kaluar. Këta të vrarë ishin të moshës prej 12 deri në 7 dhe përfshiheshin edhe tri gra. Që të gjithë ishin në rroba civile. Fshatarët thanë se serbët e armatosur, me maska të zeza, ishin futur në shtëpitë e tyre, të premten, kishin ndarë meshkujt nga familjet dhe i kishin nisur për stacionin policor. Pastaj i kishin kthyer si bagëti deri në kodër dhe i kishin vrarë.”

Për shkak të zjarrit të pandërprerë të artilerisë serbe dhe ndalesës së forcave serbe të sigurisë, në fshat nuk mund të depërtonin as gazetarë dhe as pjesëtarët e Misionit Verifikues të OSBE-së, ndërsa banorët ishin arratisur shumica. Për këtë arsye, askush nuk dinte për fatin e banorëve të marrë peng nga pjesëtarët e forcave serbe të sigurisë dhe fillimisht ishte menduar se ata ishin dërguar në stacionin e policisë në Ferizaj.

Vetëm të nesërmen në mëngjes, mjetet e informimit dhe MVK-ja hynë në Reçak për të parë pasojat e shkaktuar nga sulmi i forcave serbe. Dhe ky ishte momenti kur ata e zbuluan kanalin në të cilin ishin grumbulluar kufomat e civilëve shqiptarë, pothuajse të gjithë burra. Si pasojë e sulmit të forcave të armatës serbe dhe të Ministrisë së Brendshme, Reçak ishte shndërruar në një vend fantazmash, i mbetur pa banorë, me mjegull të errët. Shumica e shtëpive ishin garantuar drejtpërdrejt nga tanket T-55 të ushtrisë serbe. Sipas “Washington Post”, në fshat kishin mbetur vetëm disa qen dhe disa gomarë, që pëllisnin, dhe një numër kafshësh. Një burim, i cili kishte informata lidhur e bisedat telefonike të udhëheqësve ushtarakë serbë në Kosovë dhe zyrtarëve në Beograd më 15 janar dhe në ditët pasuese, deklaroi se gjatë kohës sa gjuanin artileria dhe tanket dhe zhurma e mitralozave jehonte përreth kodrave të Reçakut, Shainoviqi e thirri Lukiqin nga Beogradi, të cilin e kishte pyetur sa njerëz ishin vrarë. Bazuar në burimet perëndimore, të cilave u referohet “WP”, Lukiq iu përgjigj se deri në atë moment numri ishte njëzet e dy të vrarë. Dhe në thirrjet e ditëve vijuese, Shainoviq dhe Lukiqi shprehnin brengosjen sa i përket reagimit ndërkombëtar dhe në përpjekjet për të maskuar atë se çka kishte ndodhur, Shainoviqi kishte përkrahur vendimin që të mbyllej kufiri kosovar me Maqedoninë për të ndaluar Louis Arbour, prokuroren e Tribunalit të Hagës për Krime të Luftës, që të hynte në Kosovë.

Gazetarët dhe vëzhguesit arritën në vendngjarje në Reçak mëngjesin e ditës së nesërme, më 16 janar 1999. Në të gjithë fshatin, 45 trupa të pajetë u zbuluan. Vëzhguesit e Misionit Verifikues në Kosovë (MVK) i OSBE-së njoftoi se masakra në Reçak u krye më 15 janar 1999, në orët e para të pasdites. Policët e “maskuar serbë hynë në fshatin e Reçakut, i cili tërë mëngjesin ishte granatuar nga tanket e ushtrisë serbe. Ata i thyen dyert dhe hynë në shtëpitë e fshatarëve, duke u urdhëruar grave që të mbesin aty, kurse burrat i morën dhe i dërguan skaj fshatit për t’i ekzekutuar ata me gjakftohtësi, me plumba në kokë, madje pasi që më parë disa prej tyre i kishin torturuar dhe gjymtuar”. (“Le Figaro”, 20 janar 1999). Sipas versionit të transmetuar në mjetet e informimit dhe vëzhguesve të këtij misioni, në Reçak ishin gjetur 45 kufoma të civilëve shqiptarë, të gjithë civilë, 23 pranë dhe brenda një hendeku në afërsi të fshatit dhe të tjerat në pika të ndryshme të fshatit. Shumica e civilëve ishin vrarë nga afër, kishin plagë plumbi në kokë dhe në zverk. Për shefin e Misionit të OSBE-së, diplomatin William Walker, i cili mbërriti në vendin e ngjarjes një ditë pas masakrës, në mëngjesin e 16 janarit, nga ajo që pa u bë e qartë se kush mbante përgjegjësinë për këtë krim.

William Walker, shef i verifikuesve të OSBE-së në Kosovë, bashkë me verifikuesit e tij, hyri në oborrin e njërës shtëpi të Reçakut, prej nga fshatarët ishin munduar të ikin nga predhat e minahedhësve dhe të mitralozëve antiajrorë, për të parë trupin e pakokë të Banush Azemit, 60 vjeçar. Më pas, ai së bashku me fshatarët e Reçakut shkoi në vendin ku ishte kryer masakra kundër civilëve shqiptarë dhe derisa po i afrohej luginë së ngushtë, Walkeri, kishte parë kufoma të tjera të burrave të ekzekutuar.

“Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua më duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu dhe nuk më intereson cili ka qenë motivi”, kishte deklaruar Walker para gazetarëve. Ndërsa pasi vazhdoi ngjitje drejt vendit të vdekjes, ku qëndronin mbi katërdhjetë kufoma të civilëve të ekzekutuar, Walkar pohoi: “Të shohësh kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t’i shohësh 15 në gropë dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se me nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them”. (“Koha Ditore”, 17 janar 1999).

Në këtë ditë verifikuesit e KMV-së kishin numëruar 36 trupa, ndërkaq që KDOM-i kishte pohuar të ketë evidentuar edhe trupa të tjerë, që kishin arritur numrin 45, prej të cilave tri gra dhe 1 fëmijë.

Walker e përshkroi pamjen si ngjarjen më të tmerrshme që kishte parë ndonjëherë.

“Asnjë prej tyre nuk ishte veshur ndryshe, përveç në rroba civile, të gjithë dukeshin si fshatarë të vuajtur dhe njerëz të thjeshtë...edhe pse nuk jam jurist, nga ajo që ka parë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe si krim kundër njerëzimit”, kishte deklaruar Walker në konferencën e tij me gazetarë në Prishtinë, menjëherë pas kthimit nga Reçaku.

Në prill të vitit 2000, William Walker u prononcua për gazetën “Berliner Zeitung” (8 prill 2000) edhe një herë lidhur me masakrën e Reçakut dhe ofroi shpjegime për rrjedhën e ngjarjeve dhe arsyen përse vëzhguesit e Misionit Verifikues të OSBE-së shkuan me një ditë më vonë në Reçak.

“Në pasditen e 15 janarit komandanti serb na informoi në Prishtinë se ‘në një vend me emrin Reçak” pas një beteje me UÇK-në janë vrarë 15 kryengritës shqiptarë. Lidhur me këtë, OSBE-ja dërgoi një patrullë në Reçak, fshati ishte pothuaj plotësisht i boshatisur. Njerëzit tanë takuan disa gra dhe fëmijë, një person të vrarë, si dhe dy të plagosur. Se ata përsëri e lëshuan fshatin ka shumë arsye: e para, rënia e muzgut, për arsye sigurie në errësirë makina u detyrua të largohej përsëri. Po ashtu, ne dëshironim mundësisht një përkujdesje më të shpejtë mjekësore për të plagosurit. Përmasat e vërteta të tragjedisë i kemi parë tek në mëngjesin e së nesërmes. Asnjë banor i Reçakut nuk dinte më 15 janar për masakrën e forcave serbe, ata vetëm në ditën e nesërme e zbuluan këtë dhe më pas na dërguan ne te kodra”, deklaroi Walker, duke shtuar se plotësisht qëndronte prapa raportit të OSBE-së dhe se në Reçak bëhej “fjalë për ekzekutim kolektiv të burrave të paarmatosur”. Në fakt në raportin zyrtar të Misionit të OSBE-së thuhej në mes tjerash:

“Më 15 janar në mëngjes, Ushtria ‘Jugosllave’ e bombardoi fshatin Reçak më pas në fshat hynë policët e maskuar serbë që u futën nëpër shtëpi, i nxorën burrat prej aty dhe më pas i vranë qetazi me nga një plumb në qafë. Paraprakisht i kanë keqtrajtuar e disa madje i kanë sakatosur, dhe të gjithë këtë tek këndonin, deri në 15:30, kur janë tërhequr. Gjatë operacionit verifikuesit e kanë vërtetuar se tanket kanë qëlluar nëpër shtëpi derisa njerëzit ishin brenda. Nga këto shtëpi nuk vinte kundërzjarri”. (cituar sipas Rade Radovanoviq: “Qeshja nën trekëndëshin e varjes”, Botimet KOHA, Prishtinë, 2021, f.163).

Veç tjerash, Walker, menjëherë pas kthimit nga Reçaku dhe duke dashur t’u japë kredibilitet deklaratave dhe punës së tij për atë çfarë kishte ndodhur atje, ai bëhet e ditur se kush kishte urdhëruar operacionin e ushtrisë dhe policisë serbe dhe që Tribunali i Hagës për Krime të Luftës në territorin e ish-Jugosllavisë duhej të vinte me apo pa ftesë të Beogradit për të hetuar këto krime, dhe sipas tij, “mundësisht brenda 24 orësh“ duhej të arrinin në Reçak hetuesit ndërkombëtarë. Por, qeveria serbe në Beograd në refuzimin e saj vazhdimisht ngulte këmbë se konflikti i Kosovës është çështje e brendshme e shtetit, e kjo nuk mund të ishte çështje e bashkësisë ndërkombëtare. (“Berliner Zeitung”, 18.1. 1999). Megjithatë, dy rezolutat e OKB-së nga viti 1998 (datës 23 shtator 1998, 1203 të datës 24 tetor 1998), qartazi ia njihnin Tribunalit të Hagës kompetencat për hetime në Kosovë. Edhe letrat dhe reagimet, të cilat Arbour dhe kryetarja e Gjykatës, Gabriel Kirk McDonald, ia drejtuan Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, nuk sollën asgjë. Për më tepër, autoritetet serbe në Beograd menjëherë e shpallën Walkerin persona non grata dhe urdhëruan që ai të largohej nga Kosova dhe territori i Jugosllavisë së mbetur, por që SHBA-ja dhe OSBE-ja e shpërfillën. Ndërsa, në mesin e shqiptarëve Walker u bë hero dhe vazhdon edhe sot të vlerësohet si shpëtimtar dhe si njeriu që i dha vulë angazhimit ndërkombëtar për Kosovën.

Ndërsa, Jon Drewienkiewicz, një mbikëqyrës tjetër i OSBE-së, lidhur me këtë masakër mbi civilët shqiptarë kishte deklaruar se “kjo nuk është luftë, secili e di, këta janë pleq, shumica e të cilëve me rroba të punës”.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë