Shtojca për Kulturë

Irelevanca e prejardhjes së shqiptarëve dhe fillimet e historisë së Ballkanit

Pava­rësisht nga përshtypjet sipërfaqësore që kemi të bëjmë me një tufë kon­ceptimesh relati­visht një­sore të krijuara mbi bazë të amplifikimit mediatik të poli­tizuar, tematizimi i çështjes së prej­ardhjes së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar në Jugosllavi na vë për­ballë diferencimesh të ideve të ndërlidhura me, të mos themi të kushtëzuara, nga as­pekte të ndryshme në rrjedhat e përgjithshme të vetë gjenezës dhe të mirëmbajtjes ideologjiko-politike të idesë së Jugosllavisë. Tani që Jugosllavi më nuk ka, shumë prej diskutimeve të zjarrta në ato kohë duken ndryshe. Një pjesë e atyre koncep­timeve tani duket e neglizhueshme, një pjesë tjetër e riinterpretueshme, shumë ngarkesa emocionale të zbehura. Megjithatë, mjaft jehona të atyre ideve nde­shen edhe sot në mjedise sllavistike që merren me Ball­kanin, jo rrallë dhe me të kalua­rën e gjuhës dhe të popullit shqiptar

Në kapitullin “Rrethanat etnike në Ballkan para ardhjes së serbëve”, të librit lartësisht të politi­zuar dhe të valëvitur si e vërtetë për shqiptarët dhe Kosovën, “Knjiga o Kosovu”, Be­o­grad 1990, 17-25, D. Bogdanović përpiqej të rimerrte idetë themelore lidhur me prejardhjen e shqiptarëve duke u mbështetur kryesisht te H. Barić e ndonjë autor tjetër serb, pa shkuar tek I. Popović, dhe kështu arrinte te përfundimi se mospërmendja e shqiptarëve në faza më të hershme se sh. XI qën­dron në “parëndësinë politike dhe ushtarake të vendosjes së barinjve, të cilët në vendin e tyre të ri në të vërtetë e evitojnë kontaktin me botën që ndeshin aty qytetare dhe bujqësore, duke qëndruar verës në male dhe duke zbritur dimrit në rrafshina larg rrjetit të komunikimeve”, Barić, “Lingvističke studije” 29, Bogdanović 23.

Por ato bashkësi të mbërthyera në rrafshlartat e thata të rrethuara me pyje të pa­shkelura dhe lumenj të rrëmbyeshëm, po prisnin momentin e tyre historik! Nuk ka arsye, pas tij, të marrim qëndrim të prerë nëse ishin shqiptarët pasardhës të ilirëve apo të trakasve, sado që prejardhja trakase i dukej më e pranueshme. Nuk ka rëndësi lidhja eventuale e shqiptarëve me ndonjë popull pa­rahistorik apo historik. Për historinë e Ballkanit mjafton fakti se shqiptarët në hapësirën e tyre të ngushtë janë më së voni në sh. XI e ndoshta edhe më herët në sh. VII, koha e kontakteve me popujt sllavë të jugut dhe shtrirjes së tyre në Bizant dhe krijimit të shteteve të tyre. Theksimi i çështjes së et­no­gjenezës na largon nga shkenca drejt politizimit. Në hulumtimet evropiane duhet të kthehemi 15 shekujt prapa, në kohën e dyndjes së popujve. “Referimi te të drejtat e autoktonëve nga epoka para shpër­nguljes së popujve, do të na çonte te 'kthimi' absurd i popujve sllavë e gjermanikë në hapësirën e Ev­ropës veriore dhe lindore”. Para dyndjes së popujve nuk kishte as francezë, as gjermanë, as Austri, as Rusi, kishte një botë tjetër, botë të kamotshme, qyshkur të zhdukur, ndërsa “ndryshimet që kanë ndodhur në Evropë me dyndjen e popujve në periudhën prej sh. III deri në sh. VII në çdo kuptim janë të pakthyeshme dhe përfundimtare”, f. 23. E qartë, kemi të bëjmë me konceptin jo pak të përhapur se historia në Ballkan fillon me ardhjen e sllavëve. Kuptohet, nuk merret parasysh ajo që mund të jetë dokumentim historik në formën e kontakteve të gjuhëve, të gjera dhe mjaft të dokumentuara midis la­tinishtes-romanishteve dhe shqipes.

Shqiptarët – ilirë të rremë

Libri “Albanci lažni Iliri”. Beograd 2007, me punime të zgjeruara nga Tryeza e rrumbullakët ndër­disiplinare e mbajtur në ASSHA më 21 qershor 2007: “Metodološki problemi istraživanja po­rekla Albanaca”, ku fjalën kryesore e kishte Mihajlo Marković, studiues në fushën e metodologjisë së hulum­timit shkencor, filozof. Përfun­dimet themelore të 'filozofit kritik' janë: 1. Shqiptarët nuk kanë prejardhje prej ilirëve as prej banorëve të tjerë të lashtë; 2. nuk ka të dhëna që shqiptarët të kenë banuar në Ballkan para gjysmës së sh. XI. 3. Pas ardhjes në Ballkan kanë jetuar në një territor të Epirit rreth Durrësit e Krujës. Deri në sh. XVII kufiri etnik ndarës midis serbëve e shqiptarëve shkonte nëpër lu­min Drin e Drin i Zi. 4. deri te shpërngulja e madhe serbe 1690, 1737 shqiptarët në Kosovë e Me­tohi kanë qenë nën 1%; 5. “Kuptimi i hulumtimit të prejardhjes së shqiptarëve qëndron aty që për­fun­di­misht të rrënohet një fal­si­fikat historik, një mit historik, përmes të cilit duhet të arsyetohet dhe të legji­timohet rrëmbimi i tokës së huaj, në këtë rast pikërisht i tokës që ka rëndësi të paçmueshme historike, kulturore e gjeostra­tegjike për popullin serb, dhe prej së cilës ai kurrë nuk do të heqë dorë”, f. 13.

Në dy de­ka­dat e fundit të Jugo­slla­visë pati interesim të shtuar për këto çështje, sidomos në opi­nionin publik serb dhe me një impakt të posaçëm në aspektet ndësh­kuese të ideve të atyre ndër specia­listët shqiptarë që mund të mendonin për prejardhjen ilire të shqipes dhe të shqip­tarëve.

Kushtëzimet e diskursit për prejardhjen e shqipes në Jugosllavi

Pava­rësisht nga përshtypjet sipërfaqësore që kemi të bëjmë me një tufë kon­ceptimesh relati­visht një­sore të krijuara mbi bazë të amplifikimit mediatik të poli­tizuar, tematizimi i çështjes së prej­ardhjes së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar në Jugosllavi na vë për­ballë diferencimesh të ideve të ndërlidhura me, të mos themi të kushtëzuara, nga as­pekte të ndryshme në rrjedhat e përgjithshme të vetë gjenezës dhe të mirëmbajtjes ideologjiko-politike të idesë së Jugosllavisë. Tani që Jugosllavi më nuk ka, shumë prej diskutimeve të zjarrta në ato kohë duken ndryshe. Një pjesë e atyre koncep­timeve tani duket e neglizhueshme, një pjesë tjetër e riinterpretueshme, shumë ngarkesa emocionale të zbehura. Megjithatë, mjaft jehona të atyre ideve nde­shen edhe sot në mjedise sllavistike që merren me Ball­kanin, jo rrallë dhe me të kalua­rën e gjuhës dhe të popullit shqiptar.

Në shqyrtimin e tërë diskursit për prejardhjen e gjuhës shqipe dhe të popullit shqip­tar në Ju­gosllavi duan sqarime përcaktuese paraprake për këto çështje:

- Krijimi pas 1918, pas zgjerimeve pushtuese serbe në jug (Kosovë e Maqedoni) fillimisht si Mbretëri Serbo-Kroato-Sllovene, pastaj si Ju­gosllavi e centralizuar, dhe shthurja e saj në Luftën II Botërore: prapavija ideologjike e atij shteti ishte përcaktimi konstitucional – shtet i një populli trefisësh [serbë, kro­atë, sllovenë] dhe dydialektor [serbokroatisht, sllovenisht], të tjerët thjesht nuk ekzistonin, ba­shkë me mtesat e pafshehura të mbisundimit serb;

- Sllavë të jugut, jugosllavë, ideja e jugosllavizmit si zgjerim i pansllavizmit, në ndeshje/ shkrirje me idetë e ilirizmit kroat të Ljudevit Gaj, të “Srbi svi i svuda” të Vuk Karadžić-it të trashëguara nga sh. XIX; si sllavë të jugut me apo pa bullgarë;

- Identitetet rajonale boshnjake, malaziase, maqedonase dhe më vonë identitetet përkatëse kombëtare malaziase, maqedonase dhe myslimane/boshnjake dhe kronologjitë e krijimit të tyre;

- Shteti federal me 6 republika, më vonë dhe 2 krahina autonome;

- Ideologjia e jugosllavizmit të ri – jugosllav i përcaktuar si hiperpërkatësi e ndër­lidhur me ideologjinë e vëllazërim-bashkimit dhe përdorimi i saj në proceset e dukshme majorizuese serbe, ndonjëherë edhe kroate;

- Pakicat kombëtare, më vonë kombësitë: shqiptarët si realitet social-demografik dilnin jashtë korni­zave të pakicës, sepse ishin më të numërt se disa prej kom­beve, por futeshin per defi­ni­tionem në ka­tegorinë e nja 18 pakicave të tjera vër­tet pakica; kishte dhe ide për dallimin e tyre nga shqiptarët e tjerë, qoftë edhe përmes emër­timit si Shqiptarë (Albanci)/ Šiptari, çka ndërlidhet me shtresë­zi­met e më­hershme ideologematike si poarbanašeni Srbi, Arnautaši, e që mund të ndërlidhej me historinë e dallimeve Maqedonas/ Bullgarë; synimi i pafshehur për minorizimin dhe shkrirjen e mëtejme përmes identitetit hipernacional Jugo­sllav, frika e nyjëtuar në nivel të veprimit politik nga shtimi demografik i shqiptarëve dhe vetëm i tyre, me motivime gati raciste;

- Specialiteti i studiuesit: albanolog, ballkanolog, indoeuropeist, studiues i gjuhë­sisë krahasimtare, filo­log klasik, romanist-rumanist, sllavist, serbokroatist, ori­en­talist, studiues i gjuhëve të lashta: ilirishte, trakishte, pellazgjishte, venetishte, me­sapishte, makedonishte, dako-mezishte, frigjishte; historian, etnolog, arkeo­log;

- Brezi i studiuesve: para LDB-së kryesisht të formuar në Vjenë e Graz me vijime të ideve të R. Meringer, P. Kretschmer, W. Meyer-Lübke, C. Patsch, N. Jokl, e të tjerë; pas LDB-së shpesh mbisundime sllavistike – A. M. Seliščev, por më vo­në ndikime më tepër sipërfaqë­sore të teorive trako-dakase të V. Georgiev-it. Për çudi, ka mungesë referimesh në këtë pikë të studiuesve të rëndësishëm rusë: A. V. Desnickaja dhe V. P. Neroznak.

Kjo kumtesë është version i përmbledhur i asaj që akademik Rexhep Ismajli ka prezantuar në Kuvendin Ndërkombëtar të Studimeve Albanologjike të mbajtur në Tiranë prej 25 deri më 27 nëntor, organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Botohet me leje të autorit