Shtojca për Kulturë

Xhafa: Kam nisur të inspirohem nga skamja e politika

U takon nismëtarëve të artit akademik në Kosovë, por Xhevdet Xhafa për dallim nga të tjerët krijoi në një tjetër frymë. Shquhet si mjeshtër i ekspresionizmit abstrakt. Zymtësia e shekullit të kaluar mbi shqiptarët e aspiratat e shoqërisë kryqëzohen në veprat e Xhafës. Në një intervistë për KOHËN, ai shpalos rrugëtimin në karrierë, sfidat, qëllimet e deri te botëkuptimet për forcën e qëllimin e artit. Autobiografia e tij është historia e shqiptarëve. “Meqenëse isha i preokupuar me ngjarje, fillova të paraqes autobiografinë time. Kuptohet, është autobiografia e të gjithë shqiptarëve që kanë një histori të rëndë”, thotë Xhafa (87).

Artisti i shquar Shkollën e Mesme të Artit, si brez i pestë, e kreu në Pejë (1959), ndërsa studimet i kreu në Akademinë e Arteve në Lubjanë në klasën e prof. Gabriel Stupicës. Edhe studimet pasuniversitare i kreu me sukses në këtë akademi (1962-1967). Punoi për shumë vjet si ligjërues dhe profesor i lëndës së pikturës në Akademinë e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Dha mësim për studentë të studimeve të rregullta e më vonë edhe për studentë të studimeve pasuniversitare. Dha ndihmesë në edukimin e shumë brezave të artistëve të rinj derisa u pensionua.

Krijimtaria e tij artistike përfshin pikturën si disiplinë aplikative në artin bashkëkohor. Ka hapur disa ekspozita personale (Pejë, Prishtinë, Novi-Sad, Kragujevc, Nish, Beograd, Dubrovnik, Shkup, Paris) dhe në shumë ekspozita kolektive në vend dhe jashtë vendit (Kosovë, Francë, Slloveni, Kroaci, Serbi, Bosnjë, Austri, Itali, Angli, Australi, Zelandë e Re, SHBA, Indi). Është shpërblyer me disa çmime dhe mirënjohje kombëtare dhe ndërkombëtare (Lubjanë, 1971; Prishtinë, 1974, 1975, Çmimi Nacional në Cannes, 1975; Mirënjohje nga Bienalja në New York, 1980; Medalja e Artë e ULUS-it në Beograd 1985). Disa nga veprat e tij gjendjen në disa galeri e muze të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare. Prej vitit 2012 është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Muajin e kaluar u përurua monografia për të, e autores Suzana Varvarica-Kuka, botim i ASHAK-ut.

KOHA : Profesor, ju thoni se arti juaj është një lloj autobiografie e juaja, por edhe e gjithë shqiptarëve. Si nisët që nëpërmjet artit të shpalosni rrugëtimin historik të shqiptarëve?

Xhafa: Unë kam mjaft vjet. Jam i lindur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kam përjetuar shumëçka. Më shumë ngjarje jo të mira për familjen time, por, siç dihet, të gjithë shqiptarët kanë qenë të okupuar nga regjimi serb. Unë meqenëse isha i preokupuar me ngjarje, fillova të paraqes autobiografinë time. Kuptohet, është autobiografia e të gjithë shqiptarëve që kanë një histori të rëndë. Veprat e mia i kam krijuar në bazë të rrethanave në të cilat kam jetuar unë dhe të gjithë shqiptarët. Është një autobiografi jo e lehtë si e imja si ajo e të gjithë shqiptarëve. Dihet se shqiptarët gjithnjë kanë qenë të preokupuar me politikë. Politika e huaj neve na ka munduar shumë. Ka qenë një politikë e armikut agresiv, të pamëshirshëm. Jam i lindur në kohë jo të përshtatshme. E kam përjetuar skamjen e të gjithë shqiptarëve. Mirëpo, ishim të durueshëm e të fortë nga mendja, por edhe fizikisht. Dihet se skamja ka qenë e rëndë te populli shqiptar. Pastaj gjendja sociale ka qenë e rëndë. Shqiptarët nuk e patën të lehtë të jetojnë.

Image
“Për fat të keq, vonë kemi filluar që mendjen e shëndoshë ta shfrytëzojmë”

Autoportreti i shqiptarëve

KOHA: Si janë shpërfaqur krejt këto në veprat tuaja?

Xhafa: Kam nisur të inspirohem nga skamja e politika. Shumë më ka ndihmuar edhe folklori që e kemi autokton, të sinqertë. Ato dekorime, ato lara që janë bërë në veshjet tradicionale kanë qenë lara të sinqerta e të dhëna nga mendja e shëndoshë e një gruaje amvise. Vetvetiu kam dashur të paraqes autoportretin tim në veprat e mia, autoportretin e shqiptarëve. Ja kam qëlluar. Sot veprat e mia vlerësohen lart për nga sinqeriteti, nga kritikë eminentë jo vetëm vendorë, por edhe të jashtëm. Te veprat e mia shihet një kulturë, një fisnikëri, një sinqeritet e përmbajtje e fortë kombëtare. Unë vendosa t’i paraqes veten, shqiptarin, kombin tim ashtu si ishte. Nuk kam menduar që veprat e mia të jenë të afërta për shumicën, por të paraqes aftësitë e mia e dinjitetin personal e të kombit tonë. Jo që kam pasur përkrahje apo simpati, por veprat e mia janë çmuar lart nga kritika.

KOHA: Kur jemi te kritika qoftë vendore apo e huaj, veprat tuaja vlerësohen shumë për faktin se keni qenë jashtë kohës. Shumë artistë kanë treguar historinë e popullit shqiptar nëpërmjet veprave. Por ju keni qenë më bashkëkohor, më modern. Si u bë që nisët ta shihni më ndryshe artin?

Xhafa: Meqenëse filluan të jenë prezentë mosha e dituria, e kam parë se kam një fuqi kreative dhe atë ma ka dhënë natyra. Me lehtësi kam shprehur ndjenjat e mia. Mund të them edhe ndjenjat e gjithë kombit shqiptar. Koha ka qenë e vështirë për ne si para edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Gjithnjë kemi qenë të okupuar, me presion të vazhdueshëm. Ne jemi dikush gjenetikisht. E për atë që jemi dikush, të tjerët, armiku nënkuptohet, ka dashur të na mohojë kulturën tonë e dinjitetin. Si artist jam detyruar që mllefin tim e aftësitë e mia t’i shprehi me gjithçka që kam pasur. Për mua ngjyra s’ka qenë me rëndësi, kam komunikuar me ato dhe i kam përdorur. Mirëpo, vullneti im për të treguar se ne shqiptarët jemi dikush, kam ardhur deri tek ajo që me lehtësi i kam shprehur ndjenjat e mira, shqetësimet. Ngjyrat e bardha apo e zeza për mua kanë qenë sekondare. Qëllimi ka qenë që sa më qartë ta prezantoj veten, aftësitë e mia e aftësitë e kombit shqiptar. Për atë se jemi dikush, na kanë munduar. Mirëpo, prapë kultura jonë e dinjiteti kanë mbetur.

Arti – si mediumi më i lehtë për informim

KOHA: Profesor në veprat tuaja kemi fizionominë e popullit shqiptar. Por, për kohën kur jetojmë dhe bazuar në përvojën tuaj krijuese e edhe si profesor universitar, cili mendoni se duhet të jetë roli i artit dhe artistëve?

Xhafa: Artistët duhet të jenë prijës të kulturës sonë. Artistët duhet të jenë të sinqertë që të paraqesin veten e kulturën e vet. Kur artisti e paraqet fizionominë e vet, ai e paraqet edhe fizionominë e popullit të vet. Arti është mediumi më i lehtë që informon publikun, që informon për kulturën e një kombi. Ilirët paskan qenë dikush. Mirëpo, armiku nuk i ka lënë të qetë. Por prapë kemi mbetur ata që jemi, gjenetikisht të fortë, nga mendja jemi shumë të fortë. Për fat të keq, vonë kemi filluar që mendjen e shëndoshë ta shfrytëzojmë. Më parë s’kemi pasur të drejtë. Shqiptarët ishin të izoluar.

KOHA: Profesor faleminderit shumë për këtë intervistë me rastin e hapjes së ekspozitës suaj e edhe botimit të monografisë për ju.

Xhafa: Nuk e di sa kam mundur të them diçka. Jam munduar të flas në mënyrë të sinqertë. Kisha të them edhe shumë e më shumë. Por, herëve të tjera.