Shtojca për Kulturë

Shqipëria as me Lindjen, as me Perëndimin

Tirana, edhe pas prishjes me kinezët, i qëndronte besnike vijës së saj politike. Ndërsa për Perëndimin, një Shqipëri e varfër nuk paraqiste edhe shumë interes ose mbase në nivel të fuqive të mëdha ishte një marrëveshje e heshtur për ta lënë në pat-pozicion, as me Lindjen dhe as me Perëndimin. Ky dogmatizëm doktrinar shqiptar kishte çuar në forcimin e lidhjeve jashtë kontinentit evropian, kryesisht me vendet afrikane dhe aziatike

Kur Shqipëria ishte prishur me Kinën, vështirësitë e mëdha ekonomike e detyruan regjimin komunist të Tiranës të bënte përpjekje tjera për të aktualizuar kërkesën për dhënien e dëmshpërblimeve nga Republika Federale Gjermane. Por, edhe takimet në vitet në vijim në mes ambasadorit të njohur shqiptar Sokrat Plaka dhe ambasadorit gjerman Jesco von Puttkamer, i cili shërbeu në Beograd në vitet 1975–1979, dhe më pas edhe me pasuesin e tij, ambasadorin Horts Graber, nuk sollën ndonjë lëvizje pozitive, përpos ripohimit kategorik se Qeveria Gjermane nuk ishte e gatshme të hynte në bisedime për çështje dëmshpërblimesh me Qeverinë shqiptare. Edhe qëndrimi i palës shqiptare mbetej i pandryshuar dhe si rrjedhojë tema e reparacioneve të luftës nuk i shërbente qëllimit për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike dypalëshe.

Leja për bisedime sekrete me palën gjermane

Në ditarin e tij Sokrat Plaka rrëfen se leja për të filluar bisedimet sekrete me Gjermaninë i ishte dhënë nga kryeministri i atëhershëm shqiptar Mehmet Shehu. Më tej ai shkruan: “Më 1977 mora udhëzim qarkor, që u ishte dërguar gjithë ambasadave tona të Evropës, lidhur me reparacionet nga Republika Federale Gjermane. Në të vërtetë, fjala ishte për zhvillimin e memorandumit të qeverisë shqiptare të 18 qershorit 1965 për reparacionet dërguar qeverisë së RFGJ ndarë në dy kapituj kryesorë: dëme materiale (rreth 4 miliardë USD të 1938) dhe sigurimet shoqërore (800 milionë dollarë të 1938). Qëllimi ishte të tërhiqeshin gjermanët në bisedime Për të arritur në rezultate konkrete. Ne të kaluarën ishin bërë përpjekje për kontakte direkte, por gjermanët i kanë evituar. Mendova se me anë të të tretëve mund të arrihej diçka, prandaj mora për drekë në qershor 1977 mikun tim suedez, kontin Leyenhaupt, një burrë i gjatë, i moshuar, i ditur e me një kulturë të gjerë. Ne ishim miq në të dyja drejtimet: gruaja e tij kishte relacione të ngjashme me të shoqen e ambasadorit gjerman Von Putkamer dhe me bashkëshorten time... patëm një bisedë tepër të përzemërt. Levenhaupt e kuptoi qëllimin e bisedës dhe tha më tej në formë pyetjeje se nuk ka ndonjë gjë sikur të informonte ambasadorin gjerman Putkamer për këtë bisedë. Unë e miratova”, shkruan Plaka.

Më tej, ai jep detaje tjera rreth bisedës me ambasadorin gjerman në Beograd dhe përgjigjen zyrtare të RFGJ-së lidhur me nisjen e negociatave dypalëshe për zgjidhjen e çështjeve të hapura, duke saktësuar parakushtin se shuma prej 4 miliardë dollarësh për reparacione nga pala shqiptare nuk mund të merrej për trajtim nga pala gjermane, thjesht ishte një shumë e ekzagjeruar. Plaka saktëson se më 14 korrik 1977, në pritjen kombëtare të Irakut, para se të largohej, Putkamer gjeti rastin e në “mënyrë natyrale” u ndodhëm vetëm së bashku.

“Ambasadori gjerman u përqendrua në çështjen e reparacioneve, që ishte bërë çelësi i marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe RFGJ-së. Unë hodha idenë se mund të bisedohej dhe të dyja palët t’i zgjidhnin problemet e tyre në këtë rrugë. Putkamer nënvizoi se pretendimi i palës shqiptare për reparacionet prej 4 miliardë USD të vitit 1938 përbënte një shumë kolosale dhe nuk mund të merrej si bazë për bisedime. Unë i konfirmova se bisedimet mund të fillonin për kapitullin e reparacioneve të sigurimeve shoqërore (...). Nuk vonoi shumë dhe pas dy javësh, në pritjen kombëtare të Zvicrës, më 1 gusht, Putkameri më tërhoqi mënjanë për një bisedë konfidenciale dhe tha: ‘Qeveria e Republikës Federale me entuziazëm vlerëson qëndrimin e Qeverisë shqiptare për zgjidhjen e problemeve mes të dy vendeve. Ajo propozon që midis të dy qeverive të fillojnë menjëherë bisedimet për reparacionet në fushën e sigurimeve shoqërore në Beograd, Vjenë ose Bon, sipas dëshirës së palës shqiptare’”, kujton ish-diplomati shqiptar, duke shtuar se përgjigjja nga Tirana erdhi me shumë vonesë, mbase ky përgjigje dëshmonte hezitimin e palës shqiptare për të nisur bisedimet me një vend kapitalist nga frika se mund të akuzohej se “iu shit imperializmit” perëndimor. Në përgjigjen e shkurtër të MPJ së Shqipërisë për ambasadorin Plaka shkruhej shkurt: “Kërkoji ambasadorit Putkamer që propozimin e tij ta bëjë me shkrim, me notë”.

Dogmatizmi doktrinar shqiptar

Kjo përgjigje e MPJ së Shqipërisë ishte rrjedhojë e politikës izolacioniste, e ndjekjes së parimeve të sovranitetit absolut, si dhe e mungesës së një real-politike e pragmatike nga kreu shtetëror në Tiranë. Duke mos lexuar drejt zhvillimet ndërkombëtare, me këtë qëndrim dogmatik Tirana zyrtare, edhe pse ndodhej në vështirësi të mëdha ekonomike, e bëri të pamundur kapërcimin e pengesave të ngritura nga ajo vetë, të cilat shoqëruan procesin e bisedimeve deri pak momente se para regjimi komunist i Tiranës, si dhe ai i vendeve të tjera komuniste të përfundonte në shtratin e vdekjes. Për më tepër, me këtë diskurs të politikës së vetizolimit Tirana zyrtare po shkonte kundër frymës së Ostpolitikës gjermane, duke rrezikuar që të mbetej edhe më tej një vend i izoluar. Tirana, edhe pas prishjes me kinezët, i qëndronte besnike vijës së saj politike. Ndërsa për Perëndimin, një Shqipëri e varfër nuk paraqiste edhe shumë interes ose mbase në nivel të fuqive të mëdha ishte një marrëveshje e heshtur për ta lënë në pat- pozicion, as me Lindjen dhe as me Perëndimin.

Ky dogmatizëm doktrinar shqiptar kishte çuar në forcimin e lidhjeve jashtë kontinentit evropian, kryesisht me vendet afrikane dhe aziatike. Më 1975 Shqipëria kishte vendosur marrëdhënie diplomatike me 72 vende të botës, që ishin kryesisht nga Amerika Latine, si Kili, Peruja, Kosta-Rika, Argjentina, Meksika, Venezuela; nga Afrika dhe Azia, si Nepali, Irani, Guineja, Ekuadori, Senegali, Nigeria, Kameruni, Tunizia, Burundi, Libani Benini, etj.

Përqendrimi i kërkesës shqiptare vetëm në çështjen e reparacioneve do të jetë shtrati mbi të cilin do të ndërtohej e gjithë strategjia për negociatat diplomatike me qeverinë gjermano-perëndimore për afro 14 vjet. E drejta për dëmshpërblime ishte patjetërsueshme, këtë e pranonte edhe pala gjermane, por forma dhe insistimi që vendosja e marrëdhënieve diplomatike të kushtëzohej me çështjen e reparacioneve, vetëm prolongoi këtë proces.

I vetmi avantazh politik dhe pozicion i drejtë për palën shqiptare ishte pozicioni i saj karshi çështjes gjermane. Ndonëse shteti shqiptar e mbështeste Republikën Demokratike Gjermane, në rend të parë për shkak të sistemit komunist, Qeveria shqiptare vazhdimisht e mbronte tezën se ekzistonin një komb dhe një popull gjerman dhe si konsekuencë duhet të kishte vetëm një shtet gjerman. Ky qëndrim ishte vlerësuar edhe nga personalitet e larta politike të Republikës Federale të Gjermanisë. “Unë e di, u shpreh Franz Josef Shtraus gjatë vizitës së tij në Shqipëri, në gusht të vitit 1984, se për sa i përket çështjes së kombit gjerman ju mbani një qëndrim korrekt dhe shumë të pastër.”

Pas “ngrirjes” së bisedimeve me ambasadorin gjerman, në shkurt 1979, ambasadori Sokrat Plaka thirret në Tiranë, ku instruktohet ministër i Jashtëm, Behar Shtylla, lidhur me problemet e reparacioneve me RFGJ-në, ashtu edhe për çështjen e arit monetar me Britaninë e Madhe. Ndërsa në një takim të veçantë kryeministri M. Shehu, ku ishte prezent edhe ministri i Punëve të Jashtme, Plaka mori miratimin e tij për të rinisur bisedat me ambasadorin gjerman në Beograd. Ambasadori shqiptar Plaka ndërhyri disa herë pranë Puttkamer për këtë çështje, por çdoherë u refuzua nga homologu i tij gjerman në Beograd. Më 1 gusht 1979 ai ia doli të bisedonte me ambasadorin e ri të Republikës së Gjermanisë Federale, Horst Grabert rreth këtij problemi, i cili raportoi Ministrinë e Jashtme në Bon rreth bisedës si më poshtë:

“Biseda u zhvillua në një atmosferë tepër kolegjiale. Ambasadori Plaka theksoi në mënyrë të përsëritur, se ai nuk e mendonte as për së largu të vinte Republikën Federale të Gjermanisë në një shkallë me Gjermaninë e Hitlerit”.

Zhvendosja e bisedimeve në Vjenë

Dhe në anë të kësaj fjalie zyrtarët e Ministrisë së Jashtme Federale në Bon kishin bërë shënimin: “shumë ngashënjyese”. Në fakt ky moment shënoi rifillimin e bisedimeve nga e para pas dy vjet heshtjeje. Në bisedën e radhës më 28 shtator 1979 Grabert informoi Plakën se “Qeveria Federale nuk ishte e gatshme të hynte në bisedime për çështje zhdëmtimesh me Shqipërinë”. Ndërsa ambasadori Plaka e informoi homologun gjerman Grabert më 1 shkurt 1980, “se qeveria e tij kishte ngarkuar ambasadorin e vet në Vjenë për të biseduar më tej rreth çështjeve të riparimeve. Edhe pala gjermane u shpreh dakord me këtë propozim për ndërrimin e vendit, duke argumentuar se Ambasada shqiptare në Vjenë ishte si për nga pikëpamja konsullore ashtu edhe ajo politike kompetente për të mbuluar Republikën Federale të Gjermanisë”. Kjo zhvendosje e bisedimeve në Vjenë justifikohet edhe me argumentin se ambasadori shqiptar Musin Kroi kishte marrëdhënie të mira me ambasadorin gjermano-perëndimor në Vjenë, kontin Maximilian von Podewils. Sipas dokumenteve arkivore të MPJ në Tiranë, ambasadori gjerman në Vjenë, në takim me ambasadorin shqiptar Kroi kishte propozuar se pengesat e deriatëhershme mund të tejkaloheshin në dy faza: në të parën, do të diskutoheshin çështjet për të cilat ekzistonin mosmarrëveshjet, me qëllim që të gjendej formula e përbashkët e zgjidhjes. Dhe, në të dytën, të zgjidheshin problemet e dëmshpërblimeve dhe marrëdhëniet në përgjithësi.

Në takimin e 1 shkurtit 1980, ambasadori gjerman në Beograd, Horst Grabert, ia dorëzoi ambasadorit shqiptar Sokrat Plaka përgjigjen me shkrim të Republikës Federale të Gjermanisë për Promemorien e Qeverisë shqiptare të datës 29 gusht 1979. Në këtë dokument thuhej se “qeveria federale është gjithmonë e gatshme të vendosë marrëdhënie diplomatike me RPS të Shqipërisë. Ajo është e interesuar për një zhvillim të marrëdhënieve dypalëshe që të orientohen drejt së ardhmes. Qeveria federale shpreh keqardhjen që Shqipëria nuk e sheh të mundur të hyjë në bisedime për këtë çështje, pa vënë kushte paraprake, të cilat Qeveria Federale nuk mund t’i pranojë.”

Deklaratat patetike të palës shqiptare larg realitetit

Përgjigjja zyrtare gjermane ndaj promemories shqiptare dëshmonte se Qeveria gjermane nuk kishte lëvizur nga qëndrimi i saj i mëparshëm. Por, ajo u angazhua edhe më tej që të mos mbyllej shtegu i bisedimeve me palën shqiptare, e cila nga deklaratat shpeshherë patetike tregonte se ishte larg realitetit dhe se nuk e kuptonte aspak funksionimin e një shteti demokratik, siç ishte RFGJ-ja. Po ashtu, ajo nuk mund të pajtohej me qëndrimin e ftohtë gjerman, që për Tiranën nuk ishte shpresëdhënës se mund të plotësonte listën e pritjeve megalomane. Duke e parë insistimin kokëfortë dhe të vazhdueshëm të Qeverisë shqiptare në çështjen e reparacioneve të luftës, Qeveria gjermane i rekomandonte ambasadorit Kroi që Tirana zyrtare të shikonte se si ishte zgjidhur kjo çështja me vendet e tjera. RFGJ e kishte bërë vazhdimisht të qartë se Shqipëria nuk mund të bënte përjashtim, që më parë të zgjidhej problemi i reparacioneve e pastaj të vendoseshin marrëdhënieve diplomatike, pasi kjo ishte në kundërshtim me parimin e RFGJ-së. Mund të thuhet se bisedimet e zhvilluara në Vjenë midis dy ambasadorëve nga shkurti i vitit 1980 e deri më 26 shkurt 1982 për çështjen e reparacioneve dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe RFGJ-së nuk sollën ndonjë përparim konkret, në përgjithësi ato ishin një lloj përgatitjeje e terrenit për fillimin e negociatave të drejtpërdrejta dhe të nivelit të lartë. Është e vërtetë që Qeveria shqiptare priste se do të përfitonte shumë nga zhdëmtimet për dëmet e shkaktuara nga lufta. Siç kujton Genscher, në mars të vitit 1982 kërkesat për zhdëmtim do të rriteshin bashkë me kamatën (interesin) dhe kamatën e kamatës në shumën prej 4 miliardë dollarësh. Por Boni çdoherë refuzonte, sepse dëmshpërblimet ishin të mundshme vetëm në kuadër të një marrëveshjeje paqeje, siç e parashihte marrëveshja e Londrës.

Në fund të fundit, RFGJ-së nuk i nxitohej vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, pasi ky vend i vogël ballkanik dhe i izoluar nuk paraqiste ndonjë rëndësi të veçantë politike dhe ekonomike, ndërkohë që Shqipëria pas prishjes me kinezët po përballej me një krizë të rëndë ekonomike dhe hapja me Bonin do të shërbente si oksigjen për ekonominë shqiptare. Në këtë kontekst, parimi shqiptar, që më parë të zgjidhet problemi i reparacioneve pastaj të vendosen marrëdhëniet diplomatike ishte plotësisht i gabuar, dogmatik dhe për më tepër ishte një mosnjohje e saktë e akteve ndërkombëtare, në këtë rast e Marrëveshjes së Londrës të vitit 1953. Në vend të këtij parimi, Tirana kishte mundësi të ndiqte një rrugë pragmatike, të cilën e kishin ndjekur edhe vendet e tjera socialiste, të vendosej marrëdhënie diplomatike me Bonin dhe të përfitonte ekonomikisht qoftë përmes zhdëmtimit të personave dhe kredive tjera të favorshme, e që nënkuptonte edhe ndryshimin e Kushtetutës shqiptare.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë