Shtojca për Kulturë

“Pa vend”, premierë vendore si thirrje e talenteve

Kur dritat ndalen e projektori nuk ndizet në një kinema, shikuesit mund të mendojnë se kjo po ndodh për shkaqe teknike. Të shtunën mbrëma, në “Kino Lumbardhi”, në premierën e filmit “Pa Vend” të regjisorit Samir Karahoda, nuk bëhej fjalë për probleme të këtij lloji. Zhurma e krijuar paralajmëronte diçka tjetër.

Në shenjë kureshtjeje, të gjithë shikuesit kthyen kokën mbrapa. Panë dy njerëz që bartin një tavolinë pingpongu. Për atë që nuk ka shumë informata për filmin e personazhet, kjo gjë është e pazakontë. Për të tjerët që mund ta kenë parë trilerin, krijohet përshtypja sikur një sekuencë e filmit është duke u zhvilluar jashtë ekranit e se rrëfimi do të plotësohet pas pak çastesh i tëri në ekran.

Ata që bartnin tavolinën janë Jeton Mazreku e Ermegan Kazazi, personazhet kryesore të filmit.

Tavolina sikur është tregues i sfidave, sukseseve e ëndrrave që nuk u plotësuan dhe atyre që ende janë të gjalla. Por, filmi që demonstroi fuqinë e artit për t’i ndryshuar gjërat e që përmes sukseseve zgjoi institucionet në vend, donte edhe pak kohë për t’u shfaqur.

Shpresat që nuk shuhen

Me ta vendosur tavolinën, Jeton Mazreku e Ermegan Kazazi u larguan nga skena. Këtë e kanë bërë edhe në jetën reale. Në mungesë të hapësirave për t’u stërvitur e tavolinave të pamjaftueshme, kanë hequr dorë nga ëndrra e tyre për t’u marrë me pingpong, duke u lënë hapësirë të rinjve.

Me t’u larguar dyshja Mazreku e Kazazi, në skenë dolën trajneri Rifat Rifati dhe lojtarët që janë pjesë e ekipit të pingpongut “Lidhja e Prizrenit”. Me rend luajnë nga pak duke demonstruar aftësitë e tyre e duke kërkuar mbështetje. Janë mësuar të bredhin e të kërkojnë strehë nga një vend në tjetrin. Kur e gjithë kjo përfundoi, lojtarët bashkë me trajnerin u larguan e dy personazhet u kthyen për ta marrë tavolinën.

Pas gjithë kësaj skene, projektori u ndez. Imazhet e para ta japin ndjesinë e ngufatjes. Mazreku e Kazazi gjenden në një garazh. Aty i bëjnë vend tavolinës së pingpongut. Vendi ngushtohet edhe më shumë kur prapa shfaqen duke luajtur tre lojtarë të “Lidhjes së Prizrenit”.

Mazreku është duke punuar kur merr thirrje nga Kazazi se garazhi duhet të lirohet. Tavolina paloset e largohet. Pamja e radhës sjell dyshen nga afër gjersa hedhin gurë mbi një kovë të zbrazët në një vend të tharë e pa ujë.

“Po më vjen çudi qysh po e len Gjermaninë për këtë shkretinë”, i thotë Mazrekut miku i tij, Ermegan Kazazi. “U ktheva në vendin tim”, ia kthen ai. “Këtu ujë s’po ka e na po lypim për një vend me ushtru”, vazhdon tutje Kazazi. E Mazreku ka edhe një fije shprese. “Bëhet një ditë edhe ajo”, ia kthen ai. Fjalëpakë e të matur, por origjinalë në veprime. Pakkush mund të vërejë se dyshja nuk janë aktorë.

“Nuk e kam menduar kurrë se do të luaj, e as se do ta luaj një rol të tillë, por i jemi falënderues Samirit, i cili na ka bërë shumë krenarë”, ka thënë Kazazi pas premierës së filmit.

Shpërfaqja e imazhit të vendit

“Trajner, unë e di çka ke bo ti për këtë shtet, për rininë, për sportin e këtij vendi. Unë këtë sallë e kam, sa është e imja, është edhe e jotja. Deri në prill nuk kemi rezervime, nuk kemi dasma, mundesh me ardhë si në shpinë time”, dëgjohet tek i thotë pronari i një salle dasmash trajnerit Rifat Rifati.

Luksi përreth, dritat e hapësira, vërehet që nuk paraqesin lokacionin e duhur për të ushtruar sportistët. Megjithatë, një vend pak më i rehatshëm se i kaluari. Mundësi për t’i vendosur dy tavolina. Lojtarët e rinj ia nisin lojës. Nuk do shumë për t’u larguar edhe nga aty për të zënë vend në një depo malli. Gjersa fëmijët ushtrojnë, njerëzit përreth kryejnë punët e tyre.

Si shkëputje vijnë përsëri tema e migrimit e çështja se si Jeton Mazreku është kthyer në shtëpi. Vëmendja kthehet përsëri te tavolina e pingpongut, që bartet nga një mëhallë në tjetrën.

Regjisori shkëputet edhe njëherë nga zhurmat e kërcitjeve të topave. Personazhet i vendos brenda një lokali, e megjithatë bisedat e tyre përsëri sillen rreth pingpongut.

“Duhet me e mbajtë këtë ritëm. Nëse vazhdojmë kështu, kemi shanse që njëri prej neve me u kualifiku në Japoni”, thotë Kazazi, që gjithmonë paraqet shpirtin optimist.

“Çfarë Japonie, kur nuk po mundemi me ushtru qysh duhet e drejtori i shkollës edhe drynin po ta ndërron, e na dojmë me garu me botën. Paramendo, ekipi më i mirë në Kosovë e na endemi si topi i pingpongut, e luajmë në salla dasmash”, ia kthen Kazazi, që tregohet më realist.

Realist por i kujdesshëm është treguar edhe regjisori. Madje, sipas tij, ka kursyer shikuesit nga situata edhe më të vështira, që shfaqin një imazh jo fortë të mirë të vendit.

“Ky tregim që e keni parë është 100 për qind i vërtetë dhe është punuar me kujdes. Ka gjëra edhe më të rënda që nuk janë në film. Për shkak të imazhit të vendit nuk kam dashur t’i publikoj ato”, ka thënë regjisori Samir Karahoda. Duke marrë si shembull dy medaljet olimpike të marra së fundi nga xhudistet Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, ai ka folur edhe për korrupsionin.

“Shumë shpejt i kemi marrë dy medalje të arta. Po du me tregu që shpirti na ka dhimbtë derisa e kemi xhiruar filmin, kur i kemi pa kushtet. Mos të ishin vjedhur para, me siguri nja 300 salla do t’i kishim e nja 12 medalje”, ka thënë ai. Menjëherë pas premierës vendore të filmit të tij në “DokuFest”, ka shtuar se këtë film ua dedikon të gjithë talenteve në Kosovë.

“Po ashtu, edhe djalit tim i cili është një prej talenteve që luan në Prishtinë, e që dimrit nuk mund të luajë se s’ka vend. Si prind nuk mund ta pranoj që fëmija im të mbetet kështu, andaj krejt çka kam mundur të bëj ka qenë kjo”, ka thënë ai.

I lehtë nuk ka qenë rrugëtimi as për ekipin e filmit. Vonesat e pagesave kanë vënë në pah burokracitë brenda institucioneve kulturore. Producenti Eroll Bilbani edhe njëherë ka kujtuar vonesat që ishin bërë e faktin se paratë nga Qendra Kinematografike e Kosovës u ishin dhënë vetëm në prag të premierës botërore në Festivalin e Filmit në Cannes muajin e kaluar.

Filmi kosovar nuk arriti ta fitojë “Palmën e Artë”, mirëpo bëri histori si filmi i parë i Kosovës që futet në garën zyrtare të Festivalit të Filmit në Cannes, i cili për shkak të reputacionit që ka njihet edhe si “Festivali i festivaleve”. Megjithatë, anëtarët e jurisë kanë vendosur njëzëshëm që filmi nga Kosova të jetë kandidati i Festivalit të Cannes për “European Film Awards”, që në botën e filmit konsiderohet si “Oscari evropian”.

Mjeshtëria e fotografive realiste

Filmi është xhiruar në formatin e quajtur akademik 1:1, një format tepër sfidues për xhiruesin, ku hapësira fotografike është mjaft e ngushtë dhe kërkon kujdes dhe planifikim mjaft të detajuar për t’i përfshirë apo vendosur elementet në kuadër. Kështu, Karahoda nuk luan shumë më kamerë. Përvoja e tij e mëhershme si fotograf vërehet në këtë projekt filmik, në të cilin Karahoda e sfidon veten si regjisor për herë të dytë. Karahoda debutoi si regjisor me dokumentarin e tij “Në mes”. Me këtë projekt ai për herë të parë e vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të “Berlinales”, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A.

Filmi është montuar nga Enis Saraci.

“Kënaqem kur punoj me të, shpirtin ma ushqen. Me Samirin, kur flasim se si do të montohet filmi, më së paku mendohet për montazh, kur vijmë te montazhi i kemi pamjet e gjithçka”, ka thënë ai.

Ndikimi i artit

Rreth 7 me 15 metra është hapësira ku vepron klubi “Lidhja e Prizrenit”. Nuk është hapësirë e veçuar, madje as një sallë adekuate. Është veç parahyrje e sallës në qendrën sportive “Sezai Surroi”.

Trajneri Rifat Rifati, të cilit i bëhen 52 vjet si mësues i pingpongut, ka thënë se shpesh kanë shpresuar për kushte me të mira. Rifati, gjersa ka numëruar disa suksese të ekipit, ka shtuar se i vetmi shpërblim që ata kanë marrë ka qenë largimi nga vendi ku kanë punuar.

“Për mua ka qenë një vuajtje, jam prekur me zemër e me shpirt, por s’jam dorëzuar. Këta fëmijë më kanë dhënë fuqi e vullnet ta bëjmë si duhet këtë sport”, ka thënë ai. Së paku bredhjeve nga një vend në tjetrin duket sikur do t’u bëhet një zgjidhje.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se sportistëve se shpejti do t’u bëhet një shtëpi. “’Pa vend’ tashmë do të bëhet me vend”, ka thënë ai, duke treguar se projekti për t’ua bërë një sallë adekuate pingpongistëve është në procedura të prokurimit.

Filmi “Pa Vend” është financuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është bashkëfinancuar nga Komuna e Prishtinës e Komuna e Prizrenit, në koproduksion me Televizionin Kulturor ARTE dhe mbështetur me logjistikë nga “DokuFesti”.