Shtojca për Kulturë

Laboratori poetik i Bekim Lumit ose prania artistike e mungesës

Procesi krijues, siç dihet, fillon e zhvillohet diku në brendi të preokupimeve, në ngjizje të ideve. Pastaj, diku në vetminë e thellë merr formë nëpër vargje, që herë duken si bimë të egra e herë si lule që presin të lëshojnë aromë. Kjo ngjan edhe te poezia e Bekim Lumit, e lënë dorëshkrim, në disa fletore dhe fletë shënimesh, që nga koha e migrimit të tij në vitet e ’90-ta në Shqipëri, e pastaj në Gjermani, deri në ditët e pasluftës

Lexues i nderuar, pasi të keni kaluar prej kapitullit në kapitull, prej poezisë në poezi, të veprës së Bekim Lumit, “Engjëlli blu”, mund të thoni: pse tash detyrohemi të hymë në laboratorin e tij poetik?! A nuk na mjaftuan hapësira e tij poetike, simbolika e tij, laramania e motiveve, ironia e tij, loja e tij me arketipet e mentalitetit tonë, etj. Fakti që ky libër botohet pas vdekjes së autorit, na obligon të ndajmë me ju një pjesë të asaj që quhet proces krijues i çdo autori. Te Bekimi, ky proces është aq i thellë, aq origjinal dhe para së gjithash aq eksperimental.

Procesi krijues, siç dihet, fillon e zhvillohet diku në brendi të preokupimeve, në ngjizje të ideve. Pastaj, diku në vetminë e thellë merr formë nëpër vargje, që herë duken si bimë të egra e herë si lule që presin të lëshojnë aromë. Kjo ngjan edhe te poezia e Bekim Lumit, e lënë dorëshkrim, në disa fletore dhe fletë shënimesh, që nga koha e migrimit të tij në vitet e ’90 në Shqipëri, e pastaj në Gjermani, deri në ditët e pasluftës. Ashtu siç e kishte krijuar si regjisor Laboratorin Loja, për teatrin e tij, ku me një përsosmëri artistike, estetike, krijoi më se dhjetë shfaqje, po e njëjta ndjenjë, i njëjti përkushtim e ndjek edhe në laboratorin poetik, që e la si trashëgimi të punës së tij, që shtrihet në shumë fusha të artit dhe të publicistikës. Isha unë, që fillova t’i hap fletoret e tij me poezi, t’i lexoj letrat e tij të pakënduara deri atëherë nga askush. Nuk ishte e lehtë; dukej sikur hyja në një shtëpi të huaj me plot mistere të habitshme, me plot kthesa dhe të panjohura. Më duhej të gërmoja shkronjë pas shkronje, të shkruara me lakadredhat e tij të stilizuara, ta dekodoja kodin e tij poetik, t’i nxirrja vargjet nga margjinat e fletëve, t’i deshifroja mes rreshtave (shiko faksimilet e poezive), me kujdesin për të mos e huqur asnjë fjalë, e larg saj ndonjë figuracion.

Bujshëm filluan të shpalosen poezitë e tij, që nga ajo për “L’kenin e Ohrit” e deri te “Deleujk”, apo prej “Vdekjes ekzakte” e “Engjëllit blu”, tek “Streaptease i shqiptarit para se me mërgue”.

Jo rrallëherë, zëra të kritikës kanë thënë se teatri i tij ka shumë poetikë. Kësaj radhe, teksa ia lexoja poezitë, shihja se sa dramë luhej në vargun e tij. Edhe kur ai është mitik, duke ruajtur frymën e Camajt, edhe kur është rebel i kohës së vet, apo edhe kur përbuz me plot ironi mentalitetin servil. I tillë shfaqet Bekimi si poet, me plot ndjenjë deri në dhembshuri, revoltë deri në shpërthim, e fshehtas deri në dashuri.

Duhej renditur datat, një kriter që u respektua mjaft në radhitjen e poezive si kriteri më i besueshëm, që është koha e krijimit. Pastaj, u desh të bëhej tufëzimi i poezive në kapituj dhe për të gjitha këto ndjeka udhën e trasuar prej Bekimit, ku në disa variante kishte renditur më shumë se gjysmën e poezive dhe kishte lënë shenja për kapitujt e mundshëm të librit. Andaj, gjithçka bën gjithçka, duhej të punohej me ndjenjën sikur ta kishte punuar ai dhe mbi atë që ai kishte lënë. Dhe për ironi, ato që ai i kishte ruajtur me fshehtësi ndër vite, unë i lexoja, i transkriptoja dhe i shtypja haptas, për t’i sjellë te lexuesi.

Hyrja në laboratorin e punës së një krijuesi të sjellë ndjenjë të veçantë. Shpesh të duket vetja i huaj, një grimcues fletësh të zverdhura, por në anën tjetër prania artistike e krijuesit dëshmon se artisti është diku i fshehur dhe në heshtje të lejon të shijosh artin e tij, e ta kujtosh atë njëkohësisht.

Shumica prej poezive të cilat i keni lexuar paraqesin një nga variantet e shumta që Lumi i ka shkruar. Andaj, gjatë gjithë kohës druhesh nëse ke përzgjedhur ato variante që do t’i përzgjidhte edhe ai, në rast të botimit të kësaj vepre në të gjallë të tij. Për disa poezi që i ka shtypur vetë, apo për të cilat mendohet se do t’i ketë dërguar në ndonjë redaksi, jemi përcaktuar më lehtë. Po, si të mos druhesha, kur një poezi e kishte shkruar në më se tri, pesë, apo nëntë variante, ashtu siç vepronte edhe në laboratorin e tij skenik. Ec e gjeje variantin më të qëlluar, fjalën më të duhur, më goditëse, apo se cili dialekt gjuhësor të përdorej, standardi apo gegnishtja e tij kosovare. Apo thjesht, duhej të ndiqej procesi i tij krijues nëpërmjet motërzimeve deri në shterim.

Kemi pasur dilema edhe me botuesin dhe me shumë miq krijues me të cilët jam konsultuar se çfarë të bëjmë me gjithë këto variante, si t’i botojmë ato? Kemi ardhur në përfundim se, tash për tash, duhet ta kemi një përmbledhje të Bekimit me poezitë që i kemi gjetur, ndërkaq disa prej varianteve t’i sjellim në fund të librit si faksimile, që lexuesi ta krijojë parafytyrimin e punës së tij. Kush e ka njohur Bekimin, e di se ai nuk ka këmbëngulur të botojë, posaçërisht kur ka hyrë fuqishëm në botën e teatrit. Andaj, konsiderojmë se poezia e tij, krahas procesit se si Bekimi e ka krijuar atë, duhet të arrijë te publiku për ta njohur edhe një përmasë artistike të tij.

Ikja e artistit lë pas një mungesë aq të madhe, por prania artistike e tij sikur na e kthen atë çdo ditë. Këtë synim e ka edhe kjo përmbledhje e poezive, e cila po botohet me rastin e shënimit të trevjetorit të kalimit të tij në amshim.

Arti i Lumit fisnikëron. Tamam në përputhje me thënien e tij, “U artësofshi”! Edhe kjo përmbledhje vjen dhe flet me ne, me ju, me të gjithë, si një botim që ka çka i jep letërsisë shqipe, poezisë së saj. I jep një zë që do të dëgjohet përtej kohës sonë, ashtu siç Bekimi ishte mbi kohën e tij.

Pasthënie e librit “Engjëlli blu” me poezitë e Bekim Lumit, promovuar më 30 korrik të këtij viti, në trevjetorin e vdekjes së regjisorit të shquar.