Shtojca për Kulturë

Në Bari, aty ku u vra Luigj Gurakuqi

Descriptive Text

Ditari i Adriatikut: Bari është kryeqyteti i shqiptarëve në anën tjetër të Adriatikut

“Deti është i bukur në sytë e Zotit, sepse lag ishujt, të cilët njëkohësisht i stolis dhe i mbron. Ai i bën bashkë kontinentet më të largëta dhe marinarëve u mundëson qarkullim të papenguar. Përmes tyre na sjell njohuri për atë që deri më tani ishte e panjohur. Përcakton fatin e tregtarëve në botën e jashtme. Lehtë i përmirëson gjërat e jetës, sepse të pasurit eksportojnë tepricën, të varfrit mund të furnizohen me gjërat më të domosdoshme”.

Shën Bazili i Madh

Në një ditë vere, ky mendim i Shën Bazilit të Madh, kësaj figure të rëndësishme të Kishës Katolike, m’u kujtua në Bari. Ishte pasdite kur arrita dhe dielli përvëlonte çdo cep të këtij qyteti italian, i cili është pak edhe qytet shqiptar dhe oriental, mesdhetar, po se po. Po gërmuam në histori, Bari mund të quhet edhe qytet bizantin, norman, gjerman – fundja Bari ka një shesh me emrin Piazza Federico Secondo di Sveva, në gjermanisht Platz Friedrichs II. von Schwaben, sipas perandorit romak-gjerman dhe Mbretit të Sicilisë.

Për dijetarin britanik, gazetarin, oficerin e shërbimit sekret, ekspertin e madh të Ballkanit dhe përkrahësin e paepur të shqiptarëve Harry Hodgkinson, “Bari u themelua nga ilirët nga ana tjetër e ujit – dhe deri kohëve të fundit me humor quhej kryeqyteti i Shqipërisë”. Në librin e tij “The Adriatic Sea” (botuar më 1956), Hodgkinson shkruan se për shqiptarët, Bari ishte “qyteti më i afërt me shtëpi opere dhe universitet, në Bari kishte edhe gazeta shqiptare”.

Gjatë korrikut, mijëra shqiptarë nga mbarë Evropa vijnë në Bari. Këtu ata bien në sy menjëherë: nguten të zënë trajektet që lundrojnë drejt Durrësit, Vlorës apo Gumenicës (Greqi). Një javë pushim në Shqipëri, një javë në Kosovë apo Maqedoni. Ky është plani i tyre, zakonisht. Kur kosovarët nuk dinë ta gjejnë portin në Bari, ndalen të pyesin dikë, “porto, porto”, dhe shpesh përgjigjen e marrin në shqip. Sepse Bari është qytet edhe shqiptar, stacioni i parë ose i fundit i tyre, varësisht nga perspektiva.

Kjo bëhet e qartë sidomos në Corso Vittorio Emmanuele, ku një pllakë përkujtimore njofton se këtu më 2 mars 1925 u vra Luigj Gurakuqi. Shkodrani Luigj Gurakuqi ishte një urë lidhëse mes botës shqiptare dhe asaj italiane e arbëreshe. Pasi kreu shkollimin fillor në Shkodër, ndoqi mësimet në Kolegjin e Shën Adrianit në fshatin arbëresh Shën Mitër, pastaj studioi për mjekësi e biologji në Universitetin e Napolit. Por, mjekësia e biologjia nuk i interesuan aq Gurakuqit. Ai ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare, atëherë kur këto fjalë kishin kuptim. Shkroi abetare, poezi, prozë, mori pjesë në Kongresin e Manastirit, më 1909 u caktua drejtor i Normales së Elbasanit, mori pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë, ishte ministër i Arsimit, ishte një nga themeluesit e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, në qeverinë e Fan S. Nolit drejtoi Ministrinë e Financave.

Duke qenë kundërshtar i Ahmet Zogut, kryeministrit të Shqipërisë dhe mbretit të mëvonshëm, Gurakuqi iku në Itali pas shtypjes së Revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Sipas të gjitha gjasave, vrasjen e tij në Bari e porositi vetë Zogu. Plumbat kundër Luigj Gurakuqit i shkrepi Balto Stambolla, djali i tezës së tij. Para gjyqit italian, Stambolla deklaroi se e kishte vrarë Gurakuqin nga urrejtja personale. Drejtësia italiane e shpalli të pafajshëm, me gjasë me qëllimin për t’i ruajtur raportet e mira mes Italisë fashiste dhe qeverisë së Zogut në Tiranë.

Image

Atëbotë konsull i Shqipërisë në Bari ishte Çatin Saraçi, piktor dhe politikan shqiptar. Në kujtimet e tij, ai shkruan: “Ironia është se vrasësi një ditë më parë më takoi në zyrën time duke më thënë se kishte ardhur për të kryer një vepër të madhe patriotike. E njihja mirë që nga koha e shkollës, qe një aventurier e burracak i pashoq, prandaj dhe nuk e mora mundimin ta lajmëroja udhëheqësin e opozitës (Luigj Gurakuqin, v.j.), me të cilin vijoja të mbaja ende marrëdhënie të mira personale. Një vit më parë kisha mundur t’i shpëtoja jetën viktimës po në Bari, ndaj ai vetë dhe familja më patën shprehur mirënjohjen. Asokohe mendoja se vetë Zogu nuk ishte i lidhur direkt me këto gjëma”.

Më vonë Saraçi shkroi një traktat të shkurtër mallkues kundër Zogut: “Unë, Çatin Saraçi, të akuzoj ty Ahmet Zogu si tradhtar të atdheut tënd, si vrasës e hajdut. Shqipëria ka parë pushtues edhe më të fuqishëm se këta të sotmit. Do të ikin edhe këta, por emri yt s’ka për të figuruar gjëkundi. Synimi i kësaj letre është të të paralajmëroj për herë të fundit të mos ngatërrohesh më me Shqipërinë, ndryshe do të detyrohem t’u tregoj diçka më shumë francezëve dhe anglezëve. Bankënotat false që më dhe si dhe letrat e tua të fundit, po i ruaj si dokument i pandershmërisë sate.”

Në vitet ’30, Çatin Saraçi punoi në Ambasadën Shqiptare në Londër, ku më 1939 u njoftua dhe miqësua me piktorin e madh ekspresionist Oskar Kokoschka, i cili më 1959 i bëri një portret Çatin Saraçit, por kjo është një histori tjetër...

Gazetari italian Michele Argentiero e ka quajtur Luigj Gurakuqin përfaqësues të kozmopolitizmit adriatik, poet që shkroi në shqip e italisht, themelues i një reviste dygjuhësore. Pllaka përkujtimore në Corso Vittorio Emmanuele është dëshmi për një krim ndaj një patrioti shqiptar, i cili ishte simbol edhe i vëllazërisë italo-shqiptare.